Për dy muaj me radhë, korrikun dhe gushtin, Koncertet e Verës të organizuara nga Bashkia Shkodër sollën atmosferë dhe mbushën sheshet kryesore të Shkodrës dhe Velipojës me qindra qytetarë që i ndoqën ato nga afër. Në mënyrë të veçantë, fundjavat morën nuanca festive gjatë gjithë verës në kryeqendrën e veriut. Artistë të shumtë nga Shqipëria dhe Kosova i dhanë ngjyra fundjavave të vendasve dhe turistëve në Shkodër.
Duke nisur nga muaji shtator e në vazhdim, kalendari vijon me të tjera aktivitete kulturore duke ndikuar në rritjen e interesit të atyre që frekuentojnë mjediset kulturore të qytetit.
Përgjatë verës, Shkodra u vizitua nga turistë të shumtë dhe veç interesit për objektet e trashëgimisë kulturore, pjesë esenciale e saj mbetet padyshim pasuria shpirtërore që ofron qyteti i kulturës.
