Shkodra u përfshi nga atmosfera e muzikës Jazz me koncertin e saj të radhës, që kësaj here u stacionua në sheshin para Bashkisë. Qindra qytetarë shijuan tingujt e instrumentistëve të grupit “Zorro – Tinissima”.
Këtë natë të “Shkodra Jazz Festival” e ndoqi nga afër edhe Drejtori i Institutit Italian të Kulturës në vendin tonë, Alessandro Ruggera. Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së eventeve të tilla.
“Për Institutin Italian të Kulturës, është me shumë rëndësi mbështetja dhe përkrahja e ideve artistike dhe evenimenteve kaq të bukura. Ne ndihemi mirë që bashkëpunojmë me festivalin edhe përmes pjesëmarrjes së një prej grupeve, më të mira të momentit, sa i përket muzikës Jazz në Itali, siç është ky që po performon në Shkodër. Për qytetin mund të them se përcjell dhe transmeton kulturë të gjithëanshme dhe po ashtu edhe atmosferë të mrekullueshme”, shprehet Ruggera.
Koncertet e edicionit të XV të “Shkodra Jazz Festival” janë ekskluzivitet i rrjetit të RTSH dhe ato do të vijnë të plota në ditët në vazhdim.
