“Zotni Nardi”, kështu e thërrisnin të gjithë sepse ai vërtetë ishte një zotëri i fisëm duke merituar “titullin” që i kishin vënë.

Ferdinand Bushati nuk është më në mesin tonë e të artistëve që aq shumë i deshi, pasi këtë të mërkurë ai ndërroi jetë, duke u larguar për në paqen e përjetësisë. Rreth dy vite më parë, ai festoi 90-vjetorin e lindjes, i rrethuar nga miq e ish-nxënës që gëzonin respekt të madh për mësues Nardin.

Ferdinand Bushati ishte drejtues i Klubit të Rinisë “Heronjtë e Vigut” deri në vitet ’90 kur pushoi së ekzistuari si institucion, me një kontribut të jashtëzakonshëm në evidentimin e artistëve të Shkodrës. 

Ngushëllime për mësues Nardin shprehu edhe Kryetari i Bashkisë Benet Beci, përmes postimit të tij në rrjetet sociale. Pak kohë më parë, Bashkia e Shkodrës nisi prodhimin podcast-it “Gjurmë zërash” nën drejtimin e gazetarit Adrian Hoti. Ky cikël i dedikuar personaliteteve të spikatura të qytetit nisi pikërisht me një intervistë me Ferdinand Bushatin që ishte njëkohësisht edhe e fundit në jetën e tij.

Pushofsh në paqe “Zotni Nardi”!