Qyteti verior i Pukës konsiderohet si një aventurë e bukur turistike e çdo stine, ndërsa është kthyer në qendër atraksioni turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Për vizitorët e natyrës, zonat më të vizituara në territorin e bashkisë Pukë mbeten shpellat, ku deri tani janë të evidentuara mbi 50 të tilla.

Një pjesë e tyre gjenden pranë zonave të banuara, të cilat që prej lashtësisë janë përdorur si vendstrehime apo vende të sigurta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamjet e rralla nga njëra prej tyre, Shpella e Orëve në Gojan të Pukës.

Unike në llojin e saj në Shqipëri, kryeministri u shpreh se “deri në vitet 1960 ajo ka shërbyer edhe si vend peligrinazhi”.

Shpella e Orëve është një shpellë e vogël, por mjaft e bukur dhe e veçantë, e vetmja në llojin e saj në Shqipëri. Burimi i ujit që rrjedh sipër saj e mbulon shpellën nga të gjitha anët deri poshtë në përrua duke krijuar formacione të jashtëzakonshme dhe një pamje tepër panoramike të gjithë zonës përreth.

Shpella e Orëve (Pukë)

Deri në vitet 60’, kjo shpellë, ka shërbyer edhe si vend peligrinazhi dhe këtë e tregon edhe emri i saj “Shpella e Orëve”, pra vendi ku rrinë Orët.

Shpella është e njohur nga banorët e kësaj zone si vend i shenjtë, por edhe me veti shëruese.