Në Shirokë do të organizohet gjatë fundjavës, në datat 17 dhe 18 gusht “Light Festival”. Ai konsiston në organizimin e një koncerti të madh festiv me të ftuar nga vendi dhe përtej. Panairi i produkteve vendore të zonës dhe gatimet tradicionale me zairetë e mrekullueshme të malit dhe liqenit, lojëra popullore, shëtitje e udhëhequr nga guida nëpër atraksionet kulturore dhe natyrore, kanotazh, festë kampionësh të sporteve outdoor do të jenë disa nga elementët përbërës të festivalit.
Sheshi në Shirokë do të konceptohet si një akuarium 3D, në të cilën do të pozicionohet skena. Aktiviteti do të zhvillohet në dy fasha orari: ato sportive dhe ujore paradite ndërsa aktivitetet artistike nga ora 18:00 e deri në orët e vona të mbrëmjes. Në Festivalin e Dritave do të synohet të krijohet tradita e “feneri i qiellit” mbi liqenin e Shkodrës.


