Dita e Liqenit, më 15 gusht, vjen si një thirrje për rikthim në traditë.

Një organizim i cili promovon Liqenin në një dimension tjetër pritet të japë një shije të freskët të çdo elementi që e karakterizon, një rrugëtim që gërsheton etnon me ekon dhe bashkëkohoren.

Programi përfshin shëtitjet me varka e kanoe, një kënd për fëmijët ku në gurët tipikë të asaj zone do të pikturohen imazhe të ndryshme në lidhje me liqenin, panairin e artizanëve me produkte lokale që vënë në pah autenticitetin e kësaj zone dhe instalacionin artistik “Zogjtë”, që është një thirrje për të rinjtë që kanë krijuar kazafe mendore ndërkohë që në vendin e tyre dita ditës po humbasin një liri që supozohet se do ta gjejnë në një vend tjetër.

Në muzg, një koncert i hapur me muzikë Eko që ndërthur pikërisht këtë traditë me notat elegante të pianos. Sigurisht, kjo do të shoqërohet me pamjet dehëse të liqenit të Shkodrës dhe peizazheve të gjalla të jetës në fshat. Koncerti do të jetë i hapur për çdo banor të këtij fshati, për banorët e Shkodrës dhe çdo turist kurioz që dëshiron të ketë kontakt me diçka që shkon përtej klisheve.

Aktivitetet kushtuar Ditës së Liqenit nisin nga ora 18:00 ndërsa koncerti i pianistit Robert Bisha në orën 20:00.