Loro Kovaçi lindi më 30 gusht të vitit 1903 në Shkodër. Mësimet fillore i kreu në shkollën e drejtuar nga Jezuitët në Shkodër dhe pastaj studioi për rrobaqepës në një shkollë në Insbruk (Austri). Kthehet në vendlindje për të ushtruar zanatin e rrobaqepësit.

Debutimet e tij të para në teatrin amator datojnë rreth vitit 1919, në disa pjesë të organizuara dhe të drejtuara nga shoqëritë kulturore “Bogdani”, “Rozafat” dhe “Vllaznia”. 

Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Loro Kovaçi braktisi pothuajse të gjitha shfaqjet dhe veprimtaritë e tjera artistike, duke punuar kryesisht në rrobaqepësi.

Pas mbarimit të luftës, Loro Kovaçi aktivizohet në “Teatri i Ushtrisë”, përkrah aktorëve të tjerë si; Ndrek Luca, Marie Logoreci, Besa Imami, Pjetër Gjoka, Violeta Manushi, etj. Karriera si aktor profesionist e Loro Kovaçit filloi më 1 shtator 1946, në “Teatri Profesionist i Shtetit”. Performanca e parë e tij si aktor profesionist është në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës.

Loro Kovaçi ishte aktor i një diapazoni të gjerë shprehjeje në skenën e teatrit të dramës përmes një galerie të madhe rolesh e interpretesh që kulmojnë me rolin e spikatur të Tuç Makut në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës dhe në atë të “Otello”-s, interpret i parë i Shekspirit në teatrin shqiptar.

Aktori i shquar do të shfaqte mjeshtërinë edhe në rolet e Bejtash Sylës në dramën e Kolë Jakovës tek “Halili e Hajria”, Pantaleones tek “Shërbetori i dy zotnive” komedi e Goldonit, Kontit të Glosterit tek “Mbreti Lir” i Shekspirit, të Dh. Farit tek “Artani” i S. Vaqarit, të Krislovit tek “Nën anën tjetër” të A. Bajramovit etj.

Loro Kovaçi u shqua për interpretim prej artisti të kompetuar edhe në rolet filmike të Gjergj Arianitit në filmin “Skënderbeu”, Gjergj Nikollës në filmin “Detyrë e posaçme”, Tuç Makut në filmin “Toka jonë” etj. Si aktor kishte siguri në lojën e vet, shprehje kjo e mishërimit të tij me rolin, sidomos në rolet epike ku kishte më prirje se sa në ato lirikë.

Aktori shquhej për një dashuri të madhe për skenën e për punën e interpretit. Loja e tij aktoreske qe gjithmonë e vërtetë, bindëse e imponuese. Jeta dhe veprimtaria aktoreske e Kovaçit është pasqyruar gjerësisht në monografinë e Lec Shllakut, “Loro Kovaçi, 1903-1966”, Shkodër 2002.

Roli i fundit në skenën e Teatrit Kombëtar ishte ai i kolonelit italian në dramën e Ibrahim Uruçit, “Tri të shtëna pushke”. Loro Kovaçi vdiq në Tiranë më 16 korrik 1966.

Filmografia

  1. Komisari i dritës (1966) …. Baca
  2. Toka jonë (1964) …. Tuç Maku
  3. Detyrë e posaçme (1963) …. Gjergj Nikolla
  4. Debatik (1961) …. Drejtori italian
  5. Furtuna (1959) ….Komandanti Ballist
  6. Fëmijët e saj (1957) …. Beqiri
  7. Skënderbeu (film)