Vitore Nino u lind me 7 shkurt 1924. Artisja e Merituar ishte aktore e trupës së dramës në Teatrin “Migjeni” që prej krijimit të tij në vitin 1949 duke interpretuar, deri në fund të angazhimit të saj si artiste, mbi 130 role. Interpretimi i Vitore Ninos u shqua për larminë e prerjeve aktoreske, që varionin nga planet tragjike, dramatike, epike e heroike e deri tek ato psikologjike, lirike, humoristike e sarkastike, ku gjetën shprehje role të natyrave nga më të ndryshmet.

Ajo u pëlqye pa masë në rolet e gruas malësore, të qëndrueshme e fisnike, në figura nënash të forta por të dhimbshme, grash të ashpra e të buta, të zgjuara e me përvojë jetësore, të atilla që dinin mirë të kapërcenin natyrshëm gjendjet e rënduara psikologjike dhe emocionale.

Vitore Nino do të shquhej në realizimet e roleve në shfaqjet: “Toka jonë”, “Fisheku në pajë”, “Këshilli i ndrikullave”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Çifti i lumtur” e mjaft të tjera. Ajo luajti edhe në gjashtë filma ku spikati në rolin e hallës te “Çifti i lumtur” dhe në atë të plakës te “Dora e ngrohtë”. Vitore Nino ndërroi jetë me 25 mars 2007 por ajo do të mbetet përherë një aktore e madhe e skenës teatrore dhe kinematografike shkodrane e shqiptare.
