I vendosur në qendër të Shkodrës, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” është i pari muze kujtese në Shqipëri i ngritur në përkujtim të persekutimit politik gjatë diktaturës komuniste. Ndërtesa u ndërtua në gjysmën e parë të shek. XIX dhe gjatë viteve ka ndryshuar disa herë funksion. Në vitin 1930 kjo ndërtesë blihet nga Provinca Françeskane dhe në të vendoset Kolegji.
Me ardhjen e komunizmit në pushtet kjo ndërtesë konfiskohet dhe në të zë vend Sigurimi i Shtetit, duke krijuar Degën e Punëve të Brendshme, e cila qëndroi në këto ambiente nga viti 1946 deri në rrëzimin e regjimit komunist.
Që nga shtatori 2014 kjo zonë e ndaluar për qytetin është kthyer në hapësirë muzeale, ku pjesa më kulmore janë qelitë origjinale të paraburgimit.

Shkodra “qytet-burg”
Në hollin e hyrjes gjendet harta e burgjeve komuniste në qytetin e Shkodrës, në të cilën numërohen 23 të tillë. Kjo hartë shoqërohet edhe me shifrat e përgjithshme të persekutimit komunist për qytetin. Një sektor i rëndësishëm është edhe salla audio vizuale, në të cilën shfaqen video dhe dokumentare të periudhës së diktaturës komuniste dhe jo vetëm. Me rëndësi është edhe biblioteka, e pasur me letërsi të kohës.
Kalimi për tek zona e qelive bëhet përmes një galerie e ndërtuar rishtazi, e konceptuar si rrugëtimi i të burgosurve drejt vuajtjes dhe dhimbjes.

Në qelitë e terrorit
Salla e ekspozimit ofron një koleksion objektesh të përdorura dhe të punuara në burg, dorëshkrime, libra me tematika të ndryshme dhe letërkëmbime mes të burgosurve dhe familjarëve të tyre. Ky koleksion është dhuratë e të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre. Një interes të veçantë përbëjnë edhe panelet e xhamit, në të cilat paraqiten disa dokumente të kohës ku përshkruhen fakte dhe prova mbi dhunën dhe torturat kundër ish të burgosurve.
Kjo zonë paraprin qelitë e paraburgimit të quajtura nga vetë të burgosurit “biruca” për shkak të hapësirës së ngushtë dhe sasisë së vogël të dritës dhe ajrit që hyn në to. Hapësira është e ndarë në dy kate, por të burgosurit politikë qëndronin në katin e parë. Në fundin e korridorit gjendet dhe dhoma e torturave, në të cilën gjenden dhe disa elementë origjinalë të përdorura për torturë fizike dhe psikologjike.





