Në Vitojë, Hot – Malësi e Madhe, mbrëmja e së enjtes ishte tepër e veçantë pasi u promovua dokumentari televiziv “Ty Malësia t’ka në zemër”, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së këngëtarit të paharruar të trevave shqiptare Lindon Camaj, të ndarë nga jeta një vit më parë, realizim i Radio Televizionit Shqiptar. Ai u ndoq me shumë interes nga gjithë banorët vendas, nga gjithë fansat e dashamirët e këngëtarit Lindon Camaj, në trevat shqiptare të Malit të Zi, por dhe nga gjithë shqiptarët që janë në emigracion, deri në Amerikën e Largët.

Për këtë dokumentar kontriboi si skenarist Ramazan Çeka, në bashkëpunim me regjisorin e mirënjohur të RTSH Engjell Ndocaj “Mjeshtër i Madh”, producentin Peti Camaj, si dhe kontributi i familjes së Lindonit.

Kjo natë ishte një ngjarje e shënuar për gjithë Malësinë e Madhe. Ishte përkujtimi më i mirë që iu bë këtij artisti të paharruar, që u nda nga jeta në një moshë të re, pa arritur të realizojë gjithë ëndrrat e tij. Të premten e datës 9 gusht në orën 19:00, në Radio Televizionin Shqiptar, transmetohet ky dokumentar, për t’u shikuar nga gjithë shqiptarët kudo që janë, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në trojet shqiptare të Malit të Zi, por dhe nga gjithë shqiptarët që janë në emigracion, deri në Amerikën e Largët.