Rruga “Oso Kuka” në Shkodër ndodhet pranë qendrës së qytetit dhe në të gjenden objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore si Muzeu Historik por edhe monumenti i rrallë natyror, Çinari i Hoxhë Dheut. Lartësia prej 20 m e këtij rrapi, me një perimetër trungu 572 cm si dhe gjendja shumë e mirë e bëjnë atë një pikë çlodhëse dhe tërheqëse.

Çinari është mbi 200 vjeçar dhe për nga vlerat historike ai mban statusin Monument Kulture (Kategoria I) që prej vitit 1973. Ky rrap shekullor mban emrin e një bamirësi dhe pajtuesi të gjaqeve.

Çinari i Hoxhë Dheut nuk ishte i vetmi në Shkodër sepse në këtë qytet ekzistonin disa të tilla ndërkohë që ata shërbenin si “oaze” ku zhvilloheshin kuvende të ndryshme.

Rrapi dyshekullor do të shërbente edhe si vend rekrutimi i vullnetarëve në mbrojtje të Ulqinit, Plavës e Grudës nën komandën e Lidhjes së Prizrenit.