Procesi i restaurimit të Urës së Mesit nga FSHZH, një prej monumenteve më të bukura të kulturës mund të konsiderohet i përfunduar. Ndërhyrja në të ka qenë komplekse duke përfshirë edhe ambientin rreth saj përmes vendosjes së kalldrëmit. Specialisti i Drejtorisë së Shërbimeve të Punëve Publike në Bashkinë Shkodër dhe njëkohësisht restauratori Petrit Bilali tregon rreth detajeve të kësaj ndërhyrjeje dhe instalimit të ndriçimit.

Vetëm 8 km larg Shkodrës, Ura e Mesit mirëpret çdo ditë vizitorë të shumtë ndërsa përfundimi i restaurimit të saj pritet të ketë ndikimin e vet pozitiv.

“Kjo urë e gjatë është tepër e bukur dhe mbart shumë histori” shprehet ky vizitor nga Polonia.

“Më pëlqeu shumë Ura e Mesit dhe mund të them se u mahnita nga ajo çfarë pashë këtu. Shqipëria në tërësi është një vend i bukur”, thekson një tjetër.

Ura e Mesit është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1768 dhe është ura më e madhe që mbetet nga periudha osmane në Shqipëri. Elementët e saj e bëjnë këtë urë jo vetëm piktoreske por edhe me vlerë arkitekturore.