Vetëm 26 km në jugperëndim të Shkodrës, shtrihet Velipoja, e famshme për plazhin e saj me rërë kuruese. Ajo i ofron pushuesve jo vetëm bukuri natyrore me shumëllojshmëri pemësh e bimësh, por edhe një plazh të pastër, hotele apo apartamente për familjarë, me çmime të leverdisshme dhe kushte bashkëkohore.

Në këtë sezon veror, Velipoja është shndërruar në pikën turistike me hapësira të dedikuara deri në 40% plazheve publike. Këto të fundit janë të pajisura nga Bashkia e Shkodrës me çadrat artizanale dhe infrastrukturën e nevojshme duke nisur nga tabelat orientuese, rrethimi dhe pedanat. Plazhet publike ndodhen të shtrira përgjatë pikave të ndryshme të vijës bregdetare të Velipojës si në qendër, Vilu dhe pranë deltës së Bunës.

Pushuesit e këtyre plazheve janë kryesisht familjarë dhe vijnë nga zona të ndryshme por dominojnë ata nga Kosova të cilët i qëndrojnë besnikë Velipojës prej vitesh. Në dallim nga herët e kaluara, një pjesë e mirë e tyre kanë zgjedhur të bëjnë plazh në hapësirat publike.

Si askund tjetër në bregdetin shqiptar, Velipoja mbetet ndër plazhet masive më ekonomike dhe kjo ka sjellë frekuentimin e saj të madh nga pushues që vijnë nga të katër anët e vendit. Pritshmëritë për një tjetër sezon të suksesshëm janë edhe nga operatorët turistikë të strukturave akomoduese që ofron Velipoja.

Velipoja është gjithashtu një nga plazhet më të pastra të vijës bregdetare shqiptare. Disa kohë përpara nisjes së sezonit veror janë ndërmarrë aksione të ndryshme pastrimi. Këtë vit Velipoja ka po ashtu një rrjet të ri ndriçimi publik LED dhe rrugë të asfaltuara që i bëjnë pushuesit të aksesojnë më shpejt plazhin dhe një kujdes më i shtuar për hapësirat e gjelbërta.


Velipoja nuk është vetëm diell e det pasi jeta e natës në plazhin më të madh në veri të vendit krijon një atmosferë të bukur mbrëmjeve verore. Muzika tradicionale shkodrane nuk mungon as në baret dhe restorantet e Velipojës.

Qindra mijëra pushues zgjedhin çdo vit Velipojën duke e kthyer atë në një nga destinacionet e preferuara të vendit.
