Në tetorin e vitit që shkoi, në teatrin “Migjeni” u shfaq premiera “Vizita”, një bashkëpunim me teatrin e Sardenjës në Itali. Drama e bazuar tek vepra e shkrimtarit britanik Herbert George Wells u përshtat nga regjisori italian Davide Iodice dhe u interpretua mjeshtërisht nga trupa e aktorëve shkodranë.

Tematika e dramës lidhet me mungesën e dashurisë dhe tolerancës për mendimin ndryshe dhe brishtësinë humane duke ngjarë aktuale me realitetin e shoqërisë njerëzore në botë. Kjo dramë ishte e veçantë edhe për faktin se ishte e fundit si aktore në skenë për ish-drejtuesen e teatrit “Migjeni”, Rita Gjekën.

Drama “Vizita” do të jetë pjesë e “International Theater Festival” në Kosovë. Trupa e teatrit “Migjeni” do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë eveniment që do të mbahet në qytetin e Prizrenit. Shfaqja do të luhet në datën 21 korrik menjëherë pas ceremonisë së hapjes së festivalit.

“Vizita” e regjisorit Iodice regjistroi një sukses të madh në fundin e vitit të shkuar në edicionin e dytë të Festivalit Teatror “Moisiu” në kryeqytet ku u vlerësua me tre çmime: “Shfaqja më e mirë”, “Muzika më e mirë” dhe “Skenografia më e mirë”.