Në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës u çel nata e parë e edicionit të tetë të “Za Fest”, një krijim artistik i kantautorit Vlashent Sata. Ai nisi me muzikën shkodrane të ndërthurur me atë gjakovare që e përcolli për të pranishmit grupi “Don’t Listen to Your Neighbours” me vokalistin Adhurim Grezda.

Dom Gjergj Meta ishte një nga të ftuarit e kësaj mbrëmje e cila u përvijua me shfaqjen e filmit “Një filxhan kafe dhe këpucët veshur” të Gentian Koçit. Konceptuesi i “Za Fest”, Vlashent Sata tregon mbi rëndësinë që kanë objektet e trashëgimisë kulturore për festivalin.

Evidentimi i rrënjëve kombëtare përmes artit mbetet fokusi i festivalit, shprehet Sata. “Za Fest” do të vijojë në datat 19 dhe 20 korrik në kalanë “Rozafa” me disa artistë të ftuar si pjesë e këtij edicioni.