Në Shkodër u zhvillua sot konkursi ndërkombëtar, ku 5 studio të mirënjohura europiane paraqesin përpara jurisë projekt-idetë për Rozafën e re, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën.

I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Edi Rama theksoi se Shkodra po rilind dita-ditës dhe po fiton përmasën e re të një destinacioni të Shqipërisë turistike.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh një ngjarje kaq të madhe që ndodh në Shkodër. Është vërtetë një moment shumë i bukur që jemi sot këtu me 5 studio të njohura ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se kjo do të sjellë 5 mundësi një nga të cilat do të zgjidhet nga juria për të ndërtuar një objekt i cili nuk është thjesht një objekt privat.

“Është një objekt që ne synojmë të krijojmë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën, e cila është shumë e pasur me monumente, gjurmë të historisë, ku çdo brez ka lënë gjurmën e vetë dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë, e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë”, theksoi Rama.

Rama theksoi po ashtu se tashmë po i jepet dora e fundit edhe projektit për Muzeun e Kujtesës që do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin e Shkodrës.

“Ky është një event historik për Shkodrën, sepse nga ky event fillon lënia e një gjurme të re për brezat që vijnë”, tha Rama.

Studiot pjesmarrëse:

Benedetta Tagliabue – EMBT Architects nga Barcelona

Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini

Selgascano Architects nga Madridi

Baukuh Architects nga Milano

Piero Lissoni & Partners nga Milano