Nga Denata Rroji…
Vermoshi asht krahinë e Kelmendit, ky i fundit, Kelmendi, rrjedh nga latinishtja e vjetër që do të thotë: i urtë, i thjeshtë, i mirë. Ndodhet 95-së klm larg qytetit të Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit. Përgjatë Vermoshit kalon lumi me të njëjtin emër, i cili përmes degëzimeve dhe bashkimeve me lumenjtë e tjerë derdhet në Danub.
Fshati Vermosh rrethohet nga male, pllaja dhe lëndina me aromë sherebele, hije të cilëve u bëjnë së shumti pemët e ahut, panjës dhe më pak pishat. Në këtë tokë t’ bekueme jetojnë malësorë shtatnaltë të pashëm dhe gra të bukura hijeranda në dukje, por shumë të thjeshtë, të pastër si uji i burimeve dhe mikëpritsa me zemër. Janë të famshëm kelmendasit për bulmetnat e tyne të shijshëm, për mishin e kullotave jeshile, proshutën e tymosun, bagëtinë buzëqumësht të sapotherun, për rakinë prej boronice, të gjitha këto shtru mbi tavolinën prej druni zbukuru me lule mali.
Shtëpitë karakteristike të alpeve shqiptare, me çatitë e pjerrëta me pllaka druni ba për me rrëshqit bora në dimrin e gjatë, vendosun mbi muret e nalta të gurta, në to dritare të vogla po prej druni, strehojnë malësorë me histori prejshekullore të pamposhtun as nga shkjau, e as nga turku 500-vjeçar dhe sigurisht, as nga regjimi i ashpër komunist duke paraqit nji qëndresë si prej malesh. Pronat e tyne ndahen me gardhiqe, në fund me një derë të improvozuar që hapet me një çengel po dhe ai i sajum. Sapo dëgjojnë derën e gardhit që hapet, pa dit se kush je, thërrasin me za t’ sigurtë dhe miqësor që prej verande: “Bujrum n’ shpinë e filanit!” Kshu ti ndihesh mik që në prag t’ oborrit.
Sa të heshtun, të mençur, aq dhe oratorë, sofistë, janë malësorët e Kelmendit, përvojë oratorie e fitume ndër kuvende me temë jetën e tyne sipas ligjësive të kanunit, ashtu sofistë dhe në lidhje me temat e fatit t’ Shqipnisë apo dhe të popujve fqinjë. Atje ku në dukje shikoje një jetë të theksume patriarkale, gruaja ishte në qendër të vëmendjes duke na u prezantu si njeriu më i rëndësishëm i familjes sa shpesh urdhëronte për të mos u disktuar urdhni i saj. Këto e të tjera arsye janë, pse u dashurua atëherë me alpet shqiptare aristokratja angleze Edit Durham dje si dhe albanologu Robert Elsie dhe çdo turist i huaj apo vendas sot që shkel në këto zona.
