Parku Kombëtar i Alpeve, ngelet një nga destinacionet kryesore të turistëve të huaj. Një prej atraksioneve më të bukura me peizazhe magjepsëse në Alpet e Shqipërisë është padyshim Thethi.
Vetë turistët e huaj, shprehen se kanë gjetur aty mikpritjen dhe natyrën magjepsëse që ofron kjo perlë e natyrës në Theth, ne territorin e Bashkisë Shkodër.
Ka nga ata që vijnë për herë të parë por edhe prej atyre që rikthehen, ndërkohë që turistët nga Anglia dhe Gjermania mbeten dy prej vendeve që vizitojnë më së shumti këtë zonë.
“Nga Gjermania, është hera e dytë në Shqipëri, shumë bukur, pamje e mrekullueshme, njerëz të këndshëm e që na duan”, shprehet një turist gjerman.
“Unë jam nga Londra, është fantastike, e dashuroj ecjen nga Valbona në Theth. Ne vizituam Syrin e Kaltër dhe ishte i mahnitshëm. Gjithashtu kjo bujtinë është fantastike. Po do t’ja rekomandoj njerëzve të tjerë për t’u kthyer këtu”, shprehet një tjetër turist.
“Për mua është hera e parë në Shqipëri. Ne e kemi nisur eksplorimin nga Tirana, më pas kemi shkuar në jug, Gjirokastër, Dhërmi. Tani kemi ardhur këtu. Ky vend është fantastik, shumë i këndshëm, do t’ia rekomandoj edhe njerëzve të tjerë”, thotë një tjetër vizitor i huaj në Theth.
“Ne jemi nga Gjermania, është hera e dytë që vijmë këtu. Kemi qenë para dy vitesh. Ne gjetëm shumë informacione në blogjet në internet për Thethin. Këtu ka një pamje fantastike përreth dhe absolutisht ia vlen që ta vizitosh. Ka shumë njerëz këtu që janë miqësorë, shtëpitë shumë të pastra dhe ne ndihemi shumë të familjarizuar me to, thjesht perfekt dhe është me të vertetë një vend i këndshëm”, shprehet turisti gjerman.
Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, 70 km nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre malet: Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 Ha.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura ngushtë me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit, që e kthen këtë zonë në “kryeqendër” të turizmit malor.
