“Festa e tavës së krapit të Shkodrës” do të jetë risia e organizimeve dhe aktiviteteve të këtij sezoni veror në qytetin e Shkodrës. Shiroka, lagjia liqenore e Shkodrës është vendi perfekt ku preferohet të konsumohet kjo pjatë tradicionale e kësaj treve por festa do ta sjellë tavën e krapit brenda në qytet, pikërisht në zonën muzeale ku do të mbahet përgjatë gjithë ditës së 23 qershorit një atmosferë festive. Ajo ka për qëllim promovimin e traditave të kulinarisë së Shkodrës dhe një prej tyre është tava e krapit. Organizatorët kanë publikuar programin e plotë të festës që zhvillohet për herë të parë në qytet.

Të dashur Qytetarë, 

Bahuni gati për një festë si në shtëpitë tuaja.

Në Pedonale, ditën e dielë, me datën 23 Qershor 2024, ora 10.00- 17.00, për herë të parë do të kulmojë Festa e Taves së Krapit të Shkodrës.
Panair- muzikë me DJ dhe orkestër, kangëtarë të shquem do t’iu shoqnojnë atë ditë.
Amvisat ftohen me e gatue tavën e krapit në shtëpi e me ardhë me e hangër me familjarë, te mjediset e festës.
Për rezervime dhe bashkëpunime whatsapp: 0693924624 ose 0692255776.
Mirë ardhshi!
Shoqata “Intelektualët e Rinj, Shpresë” (IRSH) Shkodër dhe Partnerët

P R O G R A M I

I FESTËS SË TAVËS SË KRAPIT TË SHKODRËS
PEDONALE – E DIEL - 23 QERSHOR 2024- 10. 00- 17.00

Ora 10.00- 17.00 Panair (peshkatarët, fermerët, prodhuesit e verërave dhe birrave, artizanët, artistët, nxënësit e shkollës profesionale hoteleri- turizëm- kulinari, punëtori për fëmijë

Ora 10.00- 17.00 Dj Hermes dhe orkestra e drejtuar nga Maestro Ilir Zoga, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të këngëtares së shquar Justina Aliaj dhe Wendy e X- factor

Ora 12.00- 15.00 Tava krapi nga amvisat dhe restorantet

Ora 14. 00 Shpërndarja e çmimeve

- Kuzhinieri më i mirë
- Kuzhinieri më i ri
- Peshkatari më i zoti
- Fermeri më i sukseshëm
- Artisti që ka përjetësuar peshkimin