Festivali i teatrit të kukullave “Xinxifilo” erdhi në edicionin e tij të 18-të në Pogradec, me pjesëmarrjen e trupave të Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, Vlorës, Elbasanit, Korçës, Tetovës dhe Pogradecit. Shfaqje sa edukative aq edhe me mesazhe aktuale brenda tyre, po sjellin këto trupa veç pjesës argëtuese për fëmijët.
Trupa e Shkodrës e ka kthyer në traditë pjesëmarrjen në këtë festival teksa në këtë edicion të 18-të u përfaqësua me shfaqjen “Mbretëresha e borës”. Kjo shfaqje kukullash me regji të aktores Merita Smaja dhe e përshtatur nga Shegushe Bebeti e pati premierën e saj në shkurt të këtij viti në teatrin “Migjeni”. Magjia e kësaj përralle erdhi nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Drande Xhaj, Merita Smaja, Astrit Fani, Fritz Selmani dhe Gjovalin Kolaj.
