Tonin Harapi lindi në 9 qershor të vitit 1926. Fëmijërinë dhe vitet e para të rinisë i kaloi në një mjedis traditash muzikore, siç ishte qyteti i Shkodrës me muzikantë të tillë si: Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Zef Shestani, Prenkë Jakova etj.

Këta të fundit ishin edhe mësuesit e tij të muzikës dhe drejtuesit e formacioneve orkestrale ku ushtrohej si instrumentist kompozitori i ardhshëm gjatë kohës që studionte në Seminarin Papnor të jezuitëve në Shkodër. Por, meqënëse pas Luftës së Dytë Botërore klerit iu ndalua veprimtaria shkollore e artistike, Tonin Harapit iu desh të ushtrohej në pianon e tij si autodidakt deri në vitin 1947 kur rifilloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë me pedagogë të tjerë të njohur të asaj kohe, si: Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Kostantin Trako etj.

Si autodidakt do të vazhdojë të studiojë e të shkruajë edhe në Shkodër e Gjirokastër (gjatë shërbimit ushtarak) derisa të lejohet më në fund të shkonte për studime të larta në Konservatorin (Çajkovski) të Moskës (1959), ku mundi të qëndronte vetëm për dy vjet. Ka qenë mësues i kompozicionit në Konservatorin e Tiranës. Fitues i shumë titujve e çmimeve. Shkroi melodramën për fëmijë “ Kufitarët”, opereta për fëmjë “Mësimi i pyllit”, përrallë për fëmijë “Djali guximtar”, opera “Zgjimi”, 19 romanca, pjesë instrumentale për orkestër dhe muzikë dhome.

Tonin Harapi ndërroi jetë më 30 korrik 1992. Pas vdekjes iu dha tituli “ Artist I Popullit”. Ai lëvroi pothuajse të gjtha zhanerat e muzikës, këngës argëtuese, këngë për fëmijë, muzkë klsike, simfonike dhe skenike, operën, operetën, shkroi vepra korale, romanca, por edhe këngë popullore e të përpunuara.

Më 4 maj 2016 Tonin Harapi nderohet (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z.Bujar Nishani me Dekoratën “ Nderi I Kombit”