Koncerti i tenorit shqiptar me famë botërore Ramë Lahaj, është një nga eventet më të rëndësishme që do të “ndezë” sezonin turistik veror në Shkodër e më gjerë. Ka një interes shumë të lartë për ta ndjekur yllin e artit shqiptar që po shkëlqen kudo në botë. Por, do të jetë një event dedikuar shkodranëve, sigurisht edhe miqve të Shkodrës nga qytete të ndryshme por edhe përtej Shqipërisë që tashmë do të jenë të pranishëm në një mbrëmje që do të jetë magjike.

Mësohet se Bashkia e Shkodrës si organizatore, ka shpërndarë deri më tani mbi 350 ftesa të personalizuara për familje shkodrane dhe personalitete me kontribute në art, kulturë, sport, shkencë dhe në të gjitha fushat e jetës. Është një shenjë mirënjohje, respekti por edhe vlerësimi që në evente të tilla që kalojnë përmasat ndërkombëtare, ndërmerr Bashkia e Shkodrës.

Ka qenë kjo ideja e organizatorëve, të cilët kanë dashur të respektojnë të parët, siç është e natyrshme, shkodranët si “të zotët” e shtëpisë së madhe të përbashkët e më pas, të gjithë miqtë e të ftuarit e tjerë, të cilët Shkodra ka treguar se di t’i vlerësojë si pak kush në hapësirën mbarëshqiptare. Ndërkohë, në Shirokë, ku do të mbahet koncerti, po bëhen përgatitjen e fundit, ku shkodranët janë të ftuar në një mbrëmje që me gjasë, do të mbesë gjatë në kujtesë.