Shkrimtari për fëmijë Xhahid Bushati e nisi ditën me një takim të përzemërt me lexuesit e tij të vegjël duke i paraprirë festës së 1 qershorit. Takimi i zhvilluar në bibliotekën publike “Marin Barleti” kishte karakter informues dhe njohës në lidhje me veprat e shkrimtarit dedikuar fëmijëve ndër vite.

Sot ka ndryshuar jo pak qasja e fëmijëve ndaj librit për shkak të ndikimit që ka krijuar teknologjia. Pavarësisht kësaj, Bushati është i mendimit se kjo nuk duhet të demotivojë shkrimtarët të shkruajnë libra tërheqës.

Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e pavarur e Shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike.