Një fundjavë plot art, traditë dhe histori në Shkodër. Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Bashkia Shkodër, Drejtoria Rajonale e Trashegimisë Kulturore Shkodër dhe Muzetë, janë mobilizuar që me datat 17 dhe 18 maj të ofrojnë një “buqetë” të gjerë aktivitetesh për qytetarët.

Duke nisur me 17 maj në orën 11:00 në Muzeun “Oso Kuka”, me një workshop mbi xhubletën dhe në orën 19:00 një ekspozitë për xhubletën. Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës, në orën 11:00, organizohet workshop-i me temë “Komunizmi përmes dokumentave arkivore” si dhe instalacioni “Zërat e kujtesës”.

Në Galerinë e Arteve, do të jetë e hapur për publikun “Ekspozita e arkitektëve”.
Teatri “Migjeni” në këtë ditë do të ketë një ekspozitë që do të përfshijë dokumenta, materiale të arkivës të premierës së parë të teatrit të vitit 1950 dhe shfaqjes së parë të Estradës së vitit 1958 si dhe dhe rekuizitën e shfaqjeve ndër vite, duke përfshirë garderobën, posterat e shfaqjeve etj.

Biblioteka “Marin Barleti”, hap ekspozitën e dorëshkrimeve të vjetra e cila do të jetë e hapur edhe me datë 18 maj dhe në orën 11:00 organizon workshopin “Dedektivët e vegjël”.

Po me datë 17 maj, DRTK Shkodër organizon në kalanë “Rozafa” disa aktivitete duke përfshirë:
– Facepainting shoqata ” Shpresë për botën”
– “Kalaja e mrekullive” që do të përfshijë punime të fëmijëve me pjesëmarrjen e kopshtit “Bep Tusha”
– Skica arkitekturore me motive arkitekturore te kalasë nga shkolla e Mesme Artistike “Prenkë Jakova”
– Ekspozitë fotografike me aspekte të trashëgimisë kulturore e historike, Shkodër-Krajë.
– Bisedë me arkeologun, me pjesënarrjen e arkeologut z.Zamir Tafilica.
– Gatime tradicionale nga shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati”.

Ndërsa me datë 18 maj, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” vijon me aktivitetet. Nga ora 10:00 – 12:00, Punëtori “Magjia e fotografisë”. Nga ora 11:00 – 13:00, Punëtori Manjikana: Frymëzim nga kultura japoneze. Nga ora 18:00 – 19:00, vizitë e guiduar në ekspozitën e Dinastisë Marubi. Nga ora 19:00 – 20:00, mbrëmje me muzikë klasike për violinë e kitarë e studentëve të Universitetit të Arteve Tiranë. Nga ora 21:00 – 24:00, “Vjetërsia veneciane nga At Zef Valentini dhe Gegë Marubi”.

Ndërkohë, në Bibliotekën “Marin Barleti” në orën 19:00, do të ketë një përformancë poetike nga “Muzat” dhe në orën 20:00, do të jetë e hapur ekspozita e partiturave të autorëve shkodranë, dorëshkrime, shoqëruar me një koncert vokal nga kompozitorët e qytetit.

Po me datë 18 maj, do të ketë “Mapping show” në orën 21:00 tek Prefektura e Shkodrës, Teatri “Migjeni” dhe Muzeu “Marubi” e cila do të shoqërohet edhe me muzikë. Hyrja për këto aktivitete do të jetë falas.