Tregim mitologjik nga Prelë Milani…

Dikur, moteve të shkueme, ato male të egra, të madhnueshme gjallonin nga pyjet e denduna dushku, ahu, bredhi e pishe. Virgjëri e blertë natyore veshun me qilima livadhorë plot me bar lule vezulluese e fruta të freskët aromatik bjeshke. Tokë e begatë me burime të kristalta, ujëvara që rridhnin si uverturë e i jepnin jetë e gjallni kësaj parajse edeniane alpine.

Në atë oaz teje të qëndisun e ujdisun që sot njihen e thirrën si masivi i Bjeshkëve te Nemuna , jetonin Sokoli e Pllumbja. Çifti dashunisht i thërisnin njani -tjetri Mirushi dhe Mirusha. Porsi çift pëllumbash ishin të hijshëm e të përsosun si vetë çerdhja e tyne e magjishme majë çatisë të Alpeve tona.

Mirushi ishte një djalë i mrekullueshëm i gjatë kelmendas tipik, i hajm, ballin e pjerrët, hundë të drejtë mustaqehollë, sy ngjyrë lajthi, flokë të kafenjtë të shkurtë mbrapa dhe të krehun pak si xhufkë përpara sipër të cilëve prehej gjithë elegancë kapuçi i bilurtë. Nuk të shihte syni kund vajzë ma të këndshme se Pllumbja, fytyrë hanore, e qeshun,buzë mishtore ngjyrë rozë, biondinë me flokë të shpeshtë dhe të gjatë. Më sy bojëqielli plot jetë e gjallëri, trup të përsosun, e butë dhe e njerëzishme. Pllumbja ishte jetime pa prind pa motër, pa vëlla. Mirushi djalë prej fisit epik të Kelmendit ishte fejue qysh në djep me një çikë prej Shkrel por që nuk e kishte pa kurrë me sy.

Të bunet u njoh dhe dashnue si syni me dritën më të bardhëverën e Thethit. Pllumbi i dehun nga adrenalina e gushëpllumes nuk pyeti kurrkënd atë ditë gushti kur në perëndim të diellit, drenushën flokëartë e pruni tek kulla e vet.

Prindët e djalit nuk ia pranuan as nuk i thanë për hair “gjahut” të xhevahirtë që u solli djali në konak. -Biro, shëndosh kjosh e mos e gëzosh!Si t’i mori Zoti mëndët e more në gjynah një jetime të varfër e i re shqelm fejesës me të bijën e vojvodës së Shkrelit duke ra në gjak me gjithë fisin e saj që lum kush e ka pas mik e mjerë kush e ka armik!

Mirushi i patundun në ndjenjat e tij dhe i zemërum nga nëmtë e prindërve mori Pllumbën e vet dhe doli në atë bjeshkë ku malet rrokën e puthën gryka- gryka me diellin. Jetuan të lumtun por të vetmum si Adami e Eva të rrethuem prej të gjithë të mirave tokësore, në at bjeshkë qe edhe vetë krijuesi ia kishte zili. E vetmja gja që i mungonte këtij çifti hirplotë ishte një fëmijë. Pas dhjetë vjetësh, mes asaj parajsë të magjishme Zoti i plotfuqishëm kishte mendue t’u faltë një dhuratë tjetër të bekume.

Mirushi, sa kishte diktue shtatzëninë e të shoqes, ishte ba shend e verë me shpresën dhe dëshirën se shpejt do të bahej me djalë që do të trashëgonte këto visare të pashoqe natyrore. Donte që djali të shtohej e shumohej të bahej derë e fortë që askush mos të guxonte t’ kthente pushkën as ta shtynte për kufij.

Por Mirushi e bjerri shpejt atë shpresë kur hirushja e tij me xhubletë lindi një vajzë si xhevahir margaritar. Mirushi u tjetërsua në Mjerush maskilist i lajthtiun. U mërzit, u trazua, humbi çdo arsye dhe çdo ndjenjë prindnore aq sa e mori në dorë vajzën e vogël që flinte gjumë me një buzëqeshje engjëllore.

I verbuar dhe i xhindosur nga mëkati e zgjidhi nga shpërgjajt e dhe e hodhi nga maja e një horsti qiellëgërrvishtëse në fundin e një grabeni disa qindra metra në humnerë. Bebushja qumështore, e pastër si qengji i bekuem , e butë dhe purpurtë u ba copë-copë tue skuqë me gjakun e saj të dëlirë shkrepat e malit të cilat kurrë nuk kishin pa një tmerr të tillë.

Pllumbja rrezatare, kur pa mizorinë e burrit të saj të lajthitun, bërtiti tue tmerrue e drithërue dheun. Dihamën e saj ia përcolli mali malit aq sa u shtini mnerën edhe zogjve të qiellit. Pastaj hoqi shaminë e kresë dhe tue shkulë flokët, gërvishtë gjakosë e faqet me thonj thirri: -O Zot ?! Oj Orë! Oj Zana? Ku jeni, a keni sy me pa?! Ç’ka pritni, ndëshkojeni atë katil që vrau e varrosi në greminë frytin e barkut tim!

O djall me fytyrë shenjti , mallkue dita që u njohëm! Dashunia ime t’u baft vrer në zemër e murriz në sy! Pse heshtni o ju male e nuk e përpini ketë vampir?! Edhe ju lisa lëndina gjelbëroshe u thafshi e u bashi zhur! Edhe ju gurra e ujëvara shterrofshi si zemra dhe gjini im që mbet shkretë!….

Me t’i nigjue Orët, Zanat, dhe hyjnitë e qiellit ato britma të tmerrshme, u zemëruan dhe u lëshuan namën vrastare atyne bjeshkëve të begata. Pas këtij mallkimi të tmerrshëm krojet i përpiu shkambi, livadhet humbën plisin e blertë, bimët u banë shkrumb, bilbilat u banë qyqe, sorkadhet hiena, bletët grenza, troftat nepërka, zogjtë dhe çdo specie tjetër shtazore morën arratinë pa kthim. Jeta, gjallnia dhe bukuria magjike u zhdukën dhe gjithçka meti një masiv karbonatik i thatë, i vrazhdë , i frikshëm por madhështor.

Mirush Mjerushi, satan me fytyrë njeriu, iu desh të kalonte një jetë ferri tokësor. Në vetmi i rreshkun nga dielli përvëlues i verës, i rrahun nga murlani i egërsuem, i mardhun nga ngricat e stuhishme të borës së dimnave të ashpër alpin. Jetoi i dënuem të dëshironte gjatë gjithë jetës ujin, bukën ushqimin, veshën, mbathen madje edhe drutë duke u shijue një pleqni të gjatë e mundimplote.

Ma në fund, një ditë Zoti zemërgjanë ia ndau vuajtjet e tmerrshme plakut mizor të molizun të shpërfytyruem , e të transformuem si bredh i përzhitur nga rrufetë: Mirush Mjerushit vetëm për të dhanë shpirt, ju deshtën disa vite, duke e pague shumë shtrenjtë çmenduninë e tij. Pasi vdiq plaku mizor këtyne maleve të shkreta u mbeti emni “Bjeshkët e Nemuna si ndëshkim ndaj Kainit të tyne mëkatar .