Kalaja “Rozafa” mund të jetë vendi i duhur për t’u frymëzuar për shkrimin e një eseje përshkruese. Kadare do të thoshte se: “E skajuar midis kritikës studimore, filozofisë dhe përshtypjeve të lira, eseistika është një nga gjinitë më të gjalla të letërsisë. Me emërtime apo trajta të ndryshme, kjo gjini vjen që nga antikiteti duke u bërë përherë e më e pranishme në kulturat e popujve”.

Në mbyllje të muajit të librit Qendra për Hapje dhe Dialog në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, nën kujdesin e pedagogëve Dr. Gëzim Puka dhe Prof. As. Dr. Elinda Dibra zhvilluan një ditë ndryshe. Kalaja dhe qyteti i Shkodrës i parë prej saj, bëjnë përshtypje që mund të nxisin fantazinë për shkrime të mira që përmbledhin informacion dhe emocion.

Përvoja poetike e studentëve të gazetarisë dhe mësuesisë nxitet nga historia, legjendat, objekte muzeale, pozita gjeografike, reliev, elemente klimatike, flora e fauna, arkitektura, etj., shprehin tek ta entuziazmin e kësaj vizite në kala dhe në muzeun e saj. Në një ditë si kjo, të jepet mundësia për një “riinterpretim” të jetës tënde duke u bërë njëkohësisht pak historian a filozof, poet a shkrimtar.


