Festa e Luleve është një traditë e hershme në qytetin e Shkodrës. Ajo festohet përherë me këngë e valle dhe aktivitete kulturore artistike përgjatë gjithë ditës. Edhe këtë vit 6 maji do të vijë me një program të larmishëm që nis në mëngjes herët dhe mbyllet në darkë vonë.

Dita e Luleve vjen këtë vit nën moton “Lule je, lule frymon”. Ajo është një ftesë e hapur për të gjithë ata që duan të vizitojnë qytetin e Shkodrës.

“Dita e Luleve” do të shënojë po ashtu koncertin e parë për këtë vit të Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Pas tij, një tjetër koncert do të zhvillohet në shesh ku e ftuar do të jetë këngëtarja Eranda Libohova. Organizimi i këtij eventi mbështetet nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën “Aarhus” Shkodër.