Justina Aliaj nuk mbetet vetëm një këngëtare e madhe e muzikës sonë të lehtë por edhe një aktore e shquar e skenës së teatrit të dramës. Ajo lindi në Shkodër në vitin 1951. E talentuar, që fëmijë aktivizohet në grupet artistike të shkollës dhe Shtëpisë së Pionierëve. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë dhe Institutin e Arteve në degën e Artit Dramatik.
Pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion e largojnë nga jeta artistike e kryeqytetit për të ardhur në Shkodër e për t’iu mundësuar emërimi në Teatrin “Migjeni”. Ajo bëhet një ndër këngëtaret më të njohura, falë aftësive të saj vokale dhe interpretuese. Justina interpretoi brenda një repertori të pasur e të larmishëm këngësh në shumë gjuhë të botës.
Mbeten dhe do të mbeten gjatë në kujtesën e spektatorëve interpretimet e Justinës në këngët “Unë dhe shokët e mi”, “Unaza”, “Jam një vajzë”, “Mall për vendlindjen”, “Xhaketa e kuqe” dhe shumë e shumë të tjera. Zëri i saj karakteristik dhe emocional, interpretimi i shkëlqyer, ndizte gjithmonë skenat dhe elektrizonte sallat e spektatorëve, që e pritën gjithnjë me interes dhe entuziazëm të madh.

Ishte forca e artit të saj që ia siguronte gjithnjë këtë sukses. Mënyra e saj e të kënduarit përshkohet prej një patosi emocional të rrallë, prej një energjie të brendshme që transmetohej fuqishëm artistikisht, interpretim të rrallëndeshur ndër të tjerë. Një njeri i letrave e ka quajtur “njeri i lindur për të kënduar, por të cilën djajtë e kuq e shndërruan në njeri për të vuajtur”.
E kënduara e Justina Alisë ishte një miks mahnitës i talentit të saj, i ëmbëlsisë, i tonusit të veçantë, por edhe i transmetimit përmes një interpretimi të rrallë të një shqetësimi të brendshëm, të një revolte që vlonte në shpirtin e saj. Justina Aliaj emigroi dhe bëri një jetë të gjallë artistike edhe në SHBA, për të ardhur gjithnjë me dëshirë e kënaqësi në vendlindjen e vet teksa ftohej në evente të rëndësishme të këngës sonë.

I rrallë për nga cilësia e niveli artistik ishte tek Justina edhe interpretimi aktoresk. Ajo luajti dhe u shqua në disa role dramash në Teatrin “Migjeni”. Mbeti në kujtesë në rolin e Norës në dramën “Nora e Kelmendit” e Andrea Skanjetit. Si aktore mori shpesh vlerësimin e mendimit kritik teatror, duke e konsideruar aktore të dimensioneve të mëdha aktoreske. Justina gjithashtu ka luajtur edhe në Teatrin e Metropolit në Tiranë. Një shfaqje kjo dedikuar asaj, si një mirënjohje e virtytshme, mbushur plot emocione, si një obligim moral e qytetar ndaj artistes së madhe, asaj që dha aq shumë për artin e vendit të vet por që edhe arti i detyrohet jo pak asaj.
Artistja e madhe Justina Aliaj mbeti gjithmonë e thjeshtë, e dashur dhe me një dashuri të madhe për vendlindjen dhe njerëzit. Ajo ushqeu gjithnjë respekt të madh për njerëzit, gjithnjë e ndërgjegjshme për përgjegjësitë qytetare të saj, gjithnjë e respektuar dhe e vlerësuar artistikisht si një nga më të shquarat e historisë së këngës sonë të lehtë dhe të interpretimit aktoresk të teatrit shqiptar.
