Shkodra si qytet dhe qark ofron pika të shumta turistike por parku arkeologjik i kalasë “Rozafa” mbetet ndër më të preferuarit për vizitorët. Në tre muajt e parë të këtij viti, ajo është vizituar nga 18 mijë turistë, ose rreth 10 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ata vijnë nga shtete të ndryshme si: Italia, Franca, Anglia, SHBA, Izraeli, Kina etj.

“Vij nga Franca dhe vizita e rrënojave të vjetra këtu është tejet interesante. Vendosa të vizitoj Shqipërinë si një destinacion me shumë gjëra për të zbuluar. Një vend me traditën e vet dhe natyrën e bukur”, shprehet turistja franceze.

“Jam nga Londra. Një vend i bukur dhe me shumë njerëz miqësorë dhe mikpritës. Na pëlqeu edhe më shumë ky vend historik pasi mësuam diçka më shumë rreth tij”, shprehet turisti anglez.

“Më pëlqeu shumë panorama por edhe mjedisi këtu së bashku me barin dhe restorantin. Shkodra gjithashtu një qytet i bukur bashkë me liqenin e saj”, shprehet një tjetër vizitore.

“Vij nga Kina. Për mua është hera e tretë që vizitoj Shqipërinë”, thotë një prej vizitorëve kinezë në kala.

Së shpejti pritet të hapet për vizitorët e kalasë edhe oborri i katërt i saj.

Përgjatë verës, aktivitetet në kalanë “Rozafa” nuk do të mungojnë duke shtuar edhe më shumë interesin e vizitorëve dhe duke e kombinuar elementin historik me atë argëtues.