Ekspozita “Një mëmëdhetar nga Spanja” që u çel në Muzeun Historik të Shkodrës në ditët e para të muajit mars në bashkëpunim me Bibliotekën “Marin Barleti”, ka marrë së fundmi vëmendjen e Parlamentit të Mbretërisë së Spanjës.

Në një publikim të nxjerrë në faqen zyrtare të Parlamentit Spanjoll (Congreso de los Diputados), në rubrikën “Papeles para la Historia del Congreso (1812-1977)”, shfaqet një artikull mbi jetën e Gjin Aladro Kastriotit. Artikulli përveçse ndalet në veprimtarinë e tij diplomatike dhe cek shkurtimisht përfshirjen e spanjollit në jetën parlamentare të vendit përgjatë vitit 1872, shkruan edhe për ekspozitën e hapur me rastin e 110-vjetorit të vdekjes së Gjin Aladro Kastriotit, e cila evidenton kontributet e tij në shërbim të çështjes shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare.

Në ekspozitën “Një mëmëdhetar nga Spanja” u shpalosën materiale të rralla historike nga Fondi Albanologjik i Bibliotekës Publike “Marin Barleti” dhe kopje të ndryshme dokumentesh që bënin fjalë për veprën pro-shqiptare të Don Aladro Kastriotit. Mes dokumenteve u shqua ballina e Letrave Kredenciale të Don Gjin Aladro Kastriotit si deputet në Kortesin spanjoll.

Gjatë organizimit të ekspozitës, nismëtari dhe kuratori i saj, Xherardo Nikjari, bashkëpunoi ngushtë me Arkivin e Parlamentit Spanjoll (Archivo del Congreso de los Diputados) për të marrë lëndën arkivore që u përmend më lart në mënyrë që ekspozita e çelur në Muzeun Historik Shkodër të ishte sa më e plotë në aspektin e narracionit historik të jetës dhe veprimtarisë pro-shqiptare të Don Juan Pedro de Aladro Kastriotit (1845-1914), i mbiquajtur nga shqiptarët Gjin Aladro Kastrioti.

Klikoni linkun për t’u njohur me artikullin: https://www.congreso.es/cem/vidparl1872