Një grup ambientalistësh dhe ekspertësh po zhvillojnë ekspeditën e radhës në Alpet Shqiptare për vlerësimin dhe dokumentimin e peisazhit kulturor në Nikç.
Do të duhen disa ekspedita shumëditore për të gjurmuar, identifikuar, dokumentuar, vlerësuar dhe interpretuar elementët e pafundëm të peizazhit jashtëzakonisht të pasur kulturor të Alpeve të Shqipërisë në Njësinë Administrative Kelmend të Bashkisë Malësi e Madhe në Qarkun e Shkodrës.



Duke qenë një territor prej rreth 375.7 km2, i shtrirë në tre lugina malore (Vermoshi, Cemi i Selcës dhe Cemi i Nikçit) dhe i zgjedhur për jetesë nga një popullsi energjike, shtresëzimet dinamike të këtyre vendbanimeve nuk është e lehtë të gjurmohen. Për shkaqe nga më të ndryshmet që mbeten për t’u studiuar, vendbanimet janë zhvendosur shpesh përgjatë historisë herë nga njëri shpat mali në tjetrin e herë nga njëra bjeshkë në tjetrën.



Një nga burimet e të dhënave për këto zhvendosje të vendbanimeve mund të jenë rrëfimet e vendasve të mbetur pa emigruar, të dhëna që do të duhet të krahasohen me burimet arkivore dhe dokumente të tjera të shkruara, për t’u konfirmuar përmes gërmimeve në terren dhe analizave shkencore.






Për këtë arsye, grupit të arkeologëve, historianëve, studiuesve e inxhinierëve do t’i shtohen ekspertë të disiplinave të tjera. Kjo mund të jetë një nga mënyrat për të evidentuar vlerat e peizazhit kulturor të Nikçit, Vuklit, Selcës, Gropave, Vermoshit, Lëpushës e Budaçes, pa harruar bjeshkët e Jelicës, James, Gjarpërit, Surtës, Dobraçes, Goljupit, Berizhdolit, Koprishtit, Greçës, Jeshnicës, Grebenit, Përbicës, Harushës e Seferçës, që secili prej këtyre fshatrave i përdor për shtegëtimin e dhenve, si një traditë që ende vazhdon të ruhet në pjesën perëndimore të Alpeve të Shqipërisë. Ekspeditat vazhdojnë.





















