Nga Admir Dahati…
Krime dhe ndëshkime të zakonshme publikohen në media, e ndër mend sillen fjalët e filozofit të lashtësisë, Sokrati, i cili thoshte se njeriu priret të veprojë sepse ashtu e mendon të mirën sipas mënyrës së tij, ndërsa e keqja vjen nga padija dhe e panjohura.
Përgjatë ditëve, një krim i heshtur
mes rafteve të bibliotekave vazhdon. Faqet e vëllimeve dhe raftet me libra të vjeter e të rinj, për fëmijë e për të rritur janë pluhurosur nga mungesa e ajrit të freskët që lexuesi i fal nga imagjinata dhe leximi. Pa ndonjë moshë të madhe, kujtoj sallën e bibliotekës për fëmijë e cila gumëzhinte të premteve, pak pas dreke, kur përfundonim procesin mësimor dhe dëshironim histori të reja, fjalor të ri, kohë të shpenzuar mes reshtave të autorëve për fěmije. Ndërsa sot, vite më vonë, rreshtat e vetëm mes të cilëve po shpenzojmë kohën janë reshtat e postimeve në rrjete sociale apo librave të publikuar në faqet e internetit.
Një nga avantazhet kryesore të leximit dixhital është komoditeti dhe aksesueshmëria që ofron. Nga bibliotekat dixhitale, lexuesit mund të mbajnẽ mijëra libra në një pajisje të vetme, duke e bërë më të lehtë aksesin në një gamë të gjerë të literaturës në çdo kohë dhe kudo. Në të njëjtën kohë, kjo përparësi kthehet në faktorin kryesor pse botimet janë zëvendësuar me laptopin mbi krevat.
Megjithatë bibliotekat publike dhe dashamirësit e librit të cilët shkëmbejnë libra me njëri-tjetrin i luftojnë faktorët negativë dhe sërish krijohet një lëmsh hipotezash. Me rëndësi, vlen të përmendet edhe njohja. Teknikat e njohjes së realitetit, krahasimit me heroin apo antagonistin, të cilat gjendeshin në kryeveprat klasike apo romantike kanë rënë nga froni duke u pasuar nga krahasimet me personazhet që dalin ditë pas dite me një mision të ri në median sociale, duke shfaqur vetëm realitetin e kuruar.
Mungesa e përqendrimit nga lodhja e syve, problemet me orientimin mes rreshtave dhe fjalëve janë probleme të leximit të tepërt nga ekranet me drita të dëmshme ndërkohë që cektësia në kuptim dhe mendimi kritik i pazhvilluar janë pasojë e “leximit të shpejtë” apo citimeve të shkurtra të cilat rrjedhin nga shkrime të gjata dhe vepra tërheqëse. Për më tepër, shpërqendrimet e vazhdueshme. të natyrshme, të tilla si njoftimet dhe reklamat mund të pengojnë angazhimin e thellë me tekstin.
Mbizotërimi i anëve negative të leximit elektronik kthehet në paradoks kur nga dita në ditë po rriten shitjet e librave nga faqe interneti dhe shume librari po mbyllen nga mangësia e shitjeve. Mbyllja e librarive dhe bibliotekave për shkak të rënies së shitjeve ka ngritur shqetësime për humbjen e hapësirave të komunitetit dhe gërryerjen e trashëgimisë kulturore. Në të kundërt, botimet tradicionale e të shtypura ofrojnë një përvojë të prekshme të cilën shumë lexues e konsiderojnë të pazëvendësueshme. Akti fizik i kthimit të faqeve, aroma e letrës dhe paraqitja vizuale e një libri të printuar kontribuojnë në një përvojë shumëshqisore që angazhon lexuesin në një nivel më të thellë.
Si përfundim, pavarësisht faktit se teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si ne lidhemi dhe lexojmë letërsinë, është thelbësore të kuptojmë marrëdhënien e ndërlikuar që ekziston midis dy formave të leximit. Ndërsa përdorimi i një sërë dokumentesh bëhet më i lehtë me leximin dixhital, ka të meta që ndikojnë në hapësirën e vëmendjes, të kuptuarit dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të kulturës konvencionale të librit.
Gjetja e një ekuilibri midis avantazheve të dixhitalizimit dhe rëndësisë së trashëgimisë së shtypur mund të përcaktojë përfundimisht fatin e librit. Është thelbesore të sigurohemi që letërsia dhe fjala e shkruar të jenë gjithmonë pjesë e jetës letrare dhe kulturore të brezave të ardhshëm.
