Aktivitetet letrare në Shkodër vijojnë herë pas here me takime promovuese të botimeve të reja ose të autorëve të rinj, shkodranë ose jo. Biblioteka “Marin Barleti” është bërë “streha” kryesore e këtyre aktiviteteve. Veç saj vlen të përmenden edhe Shoqata e Shkrimtarëve të Shkodrës apo Qendra Rinore “Atelie”.

Kjo e fundit ka shpallur në rrjetet e saj sociale thirrjen e hapur për konkursin “Të rinjtë në poezi” që ka për qëllim promovimin e kësaj forme të shprehjes së ndjenjave dhe emocioneve por njëkohësisht edhe të talenteve të reja në fushën e poezisë dhe krijimtarisë.

Në Shkodër nuk kanë munguar asnjëherë të rinjtë që me pasionin dhe artin e tyre kanë sjellë në vëmendje dimensionin shprehës të potencialit artistik të këtij qyteti. Konkursi mbështetet nga Bashkia e Shkodrës si dhe Shoqata e Shkrimtarëve.

Afati i fundit i dorëzimit të materialeve është data 7 prill ndërsa më 11 prill do të shpallen edhe fituesit e këtij konkursi në dobi të të rinjve të talentuar. Shkodra ka një traditë të pasur në fushën e letërsisë dhe ajo është qyteti i sa e sa shkrimtarëve dhe poetëve të shquar ndaj iniciativa të tilla shërbejnë edhe për të ruajtur këtë traditë të bukur të saj.