Presidenti i Republikës Bajram Begaj në ditën e dytë të vizitës së tij në Malësinë e Madhe bëri nderime në Memorialin e Kryengritjes në Hot.
“Kryengritja e Malësisë së Madhe reflekton një ngjarje historike” u shpreh Presidenti Begaj para të pranishmëve.
Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe e konsideroi si një moment historik nderimin që Presidenti i vendit i bëri kësaj ngjarje.
Në përfundim të ceremonisë ishte programuar një aktivitet artistik, i cili u anullua për shkak të aksidentit fatal në Kanada të dy të rinjve nga kjo zonë. Ngritja e flamurit shqiptar ishte një kulminacion i Kryengritjes dhe treguesi më i qartë se qëllimi i saj ishte lufta për liri, komb dhe shtet shqiptar.
Fjala e plotë e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj
“Të dashur banorë të Malësisë së Madhe,
Të nderuar pasardhës të familjeve patriote të kësaj treve,Sot jemi mbledhur për të nderuar veprën heroike të malësorëve trima që u ngritën bashkë, pa dallim besimesh fetare, në mbrojtje të trojeve shqiptare nga copëzimi. Përpara këtij memoriali që shënjon kryengritjen e malësorëve, ne nderojmë guximin dhe dashurinë e tyre të pakompromis për atdheun tonë.
Kryengritja e Malësisë së Madhe më 1911-ën reflekton një ngjarje historike dhe frymën e pavdekshme të patriotizmit që rrjedh në zemrat e banorëve të kësaj zone. Ajo ishte parathënia e pavarësisë së Shqipërisë sonë. 113 vjet më parë, Heroi i Kombit, Ded Gjon Luli, bashkë me patriotët e tjerë, ngritën flamurin shqiptar të Kastriotit në Deçiq. Për herë të parë në afro 5 shekuj, ai flamur u valëvit sërish atë ditë.
Dedë Gjon Luli, Dedë Martini, Dodë Preci, Pal Luca, e të gjithë drejtuesit e tjerë të kryengritjes, treguan nëpërmjet shembullit të tyre se si dashuria për atdheun dhe krenaria kombëtare janë më të fuqishme se çdo armë e pushtuesit. Ata trashëgimtarë të një tradite të gjatë patriotizmi luftuan për tokën e tyre, për të mbrojtur identitetin dhe traditat që formojnë themelin e kombit tonë. Kryengritja nisi vërtetë lokalisht, por kishte karakter kombëtar.
Kjo u tregua fare mirë edhe në Memorandumin që udhëheqësit e kryengritjes u dërguan Fuqive të Mëdha, ku firmëtarë ishin të krishterë e myslimanë. Ata kërkuan, ndër të tjera, paprekshmërinë e territoreve shqiptare, njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare dhe njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare. Kjo tregon formësimin e një ndërgjegjeje kombëtare, si dhe fuqinë për t’u bashkuar për të mirën e çështjes kombëtare.
Malësorët, me vendosmëri të hekurt dhe zemra që nuk njohin frikë, u ngritën kundër pushtuesve, duke mbrojtur me çdo kusht tokën e tyre të shenjtë. Sakrifica e tyre heroike në sprovat e mëdha u shndërrua në simbol të lirisë e të drejtësisë, duke i shndërruar këta malësorë në shembullin më të lartë të patriotizmit. Nën shtypjen e pushtuesit, ata ditën të ruajnë gjuhën, traditat, kulturën dhe identitetin, që e bëjnë Malësinë e Madhe një zonë unike.
Pasardhësit e tyre jo vetëm që kanë ruajtur me zell trashëgiminë, por edhe kanë treguar se si patriotizmi shprehet në mënyra të reja. Vlerat e tyre të jashtëzakonshme duhet të jenë udhërrëfyesit e jetës sonë. Ata na kujtojnë se çdo sakrificë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut është e shenjtë, se ruajtja e traditave, kultivimi i bashkësisë, i komunitetit dhe angazhimi për zhvillim ekonomik janë mënyra moderne për të treguar se sa e duam vendin tonë.
Ky memorial qëndron si dëshmi e tyre, kujtim i përhershëm i sakrificës dhe guximit, që shndriti edhe sot. Ai na kujton se si fryma e malësorëve vazhdon të frymëzojë brezat, duke u mësuar atyre se çdo sfidë mund të tejkalohet me vendosmëri e dashuri për atdheun.
Në nder të kujtimit të atyre që dhanë jetën për këtë tokë, ne duhet të ruajmë e të nderojmë vlerat, për të cilat malësorët luftuan kaq guximshëm për t’i mbrojtur. Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk është pjesë vetëm e historisë sonë, por edhe udhërrëfyese për të ardhmen që duhet të ndërtojmë, një të ardhme në një Shqipëri demokratike dhe evropiane, ku ia vlen të jetosh.
Shumë faleminderit!”
