Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nisi sot turin e tij dy-ditor të vizitës në Malësinë e Madhe. Ai ishte i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, ndërsa u prit nga Kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj, në krah të të cilit ishte edhe Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni.

Presidenti Begaj zhvilloi më pas takimin e tij në Këshillin Bashkiak të Malësisë së Madhe me anëtarë, intelektualë, gazetarë dhe artistë të kësaj treve.

“Për mua është shumë me vlerë të dëgjoj qytetarët. Jam njëri nga ju”, u shpreh Presidenti para të pranishmëve.

Më tej, Presidenti Bajram Begaj, theksoi rëndësinë e vizitës së tij në një zonë me vlera të trashëgimisë kulturore. Vizita e Presidentit të Shqipërisë lidhet me 113-vjetorin e ngritjes së flamurit në majën e Deçiçit.

Një pjesë e fjalimit të Presidentit para të pranishmëve:

“E zgjodha jo pa qëllim vizitën time të përkojë me këtë datë historike të ditës së nesërme, një nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për Malësinë e Madhe por për të gjithë kombin shqiptar. Më 6 prill 1911 u ringrit flamuri i Skënderbeut dhe patjetër e padyshim, Memorandumi më pas drejtuar të gjithë fuqive të huaja, për të mos bërë copëzimin e Shqipërisë ishte një ngjarje patriotike. Mendoj që vizita ime është pak e vonuar në Malësinë e Madhe dhe duhet të kisha ardhur më shpejt.

Për mua është shumë me vlerë takimi me qytetarët, dëgjimi i tyre dhe patjetër që të mbaj edhe shënim siç tha profesori, i cili foli me mendje dhe zemër, po ju them që sot flas edhe me shpirt, se jam njëri nga ju pavarësisht detyrës që mbaj, pavarësisht se çfarë detyrash kemi pasur apo bëjmë, duhet secili nga ne të mendojë për vendin, për të ardhmen e fëmijëve tanë të cilët duhet t’ua bëjmë më të mirë këtu, ku është vendlindja e tyre. E ku më mirë se këtu ku mund të shprehet kjo gjë. Në vendin ku patriotizmi është i jashtëzakonshëm, atdhedashuria po ashtu, bujaria mikpritja. Muzika dhe lahuta, ku keni liqenin, malin, keni rrugën dhe gjithçka që ju nevojitet njerëzve për të pasur mirëqënie dhe zhvillim.

Patjetër që është shumë e rëndësishme që të evidentojmë ato vlera historike, kulturore të cilat na identifikojnë si komb dhe ju identifikoheni me lahutën. Lahuta është e jona dhe është shumë e rëndësishme që ju ta zhvilloni bërjen e lahutës dhe ta trashëgoni atë tek brezi i ri. Po kështu e rëndësishme është dhe një vlerë tjetër e kësaj zone: xhubleta.
Me Xhubletën kemi arritur të futemi në hisotrinë botërore. Xhubleta dhe dijebërja janë shumë të rëndësishme për t’u trashëguar, për të bërë brezin e ri që të mendojë së sa rëndësi kanë këto vlera.

Malësia e Madhe nuk është imune ndaj gjërave që na rrethojnë. Patjetër që ka largim të rinisë dhe emigracion kudo, në Amerikë, Kanada, Angli dhe në vende të tjera të BE-së por ajo që është më e rëndësishme, evidentohet qartë që këta njerëz pavarësisht se kanë ikur nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre. Kanë menduar të bëjnë investime në vendlindjen e tyre dhe të rikthehen për të investuar këtu, siç është rasti i futbollistit tonë të kombëtares që është djalë i kësaj treve dhe na ka bërë të gjithëve krenarë.

Është e rëndësishme të vazhdojmë të promovojmë zhvillimin ekonomik, të vazhdojmë të promovojmë turizmin. Këtu ka shumë mundësi që përveç bujtinave dhe agroturizmit që është i lidhur me fushën, ka një pjesë tjetër shumë të rëndësishme që është i lidhur me malin. Pjesa malore e juaja është e rëndësishme për këtë emër që ka fituar Shqipëria. Vazhdoni ta zhvilloni e patjetër që ka nvojë për ndihma.

Do doja të kisha ardhur këtu me një makinë me shumë dekorata e medalje por siç e thanë edhe kritikët medaljen, titullin, dekoratën për mua sot do t’ja jepja gjihë popullit të Malësisë së Madhe. E meritojnë nga viti 1911, e meritojnë edhe sot për punën e ndershme që bëjnë dhe motivimin që kanë për të zhvilluar jetën e tyre këtu.

Patjetër që ne duhet të zhvillojmë marrëdhëniet ndërkufitare dhe komuniteti shqiptar në Malin e Zi është faktor i rëndësishëm në stabilitetin dhe shtetformimin e Malit të Zi.
Faktori shqiptar, asnjëherë nuk ndërron ëndrrën dhe aspiratën e tij euro-atllantike.