Nga Xhahid Bushati

Pas pesë vite pune, mësuesi dhe studiuesi Nexhmi Bushati boton librin “Qemal Draçini” (njeriu, intelektuali, martiri) – përmbledhje shkrimesh-, Shkodër, 2016. Një libër, siç thotë autori ka: “… si figurë kryesore, Qemal Draçinin, figurë së cilës, herëpashere, i jam kushtuar me artikujt të ndryshëm, botuar në rubrikat letrare apo kulturore të shtypit të përditshëm ose periodikëve shkencorë”.

Qemal Draçini jetoi pak. Pati një jetë intensive me dimensione studimesh për kulturën, artin e letërsinë. Në vitet e mëvonëshme u shqua si kritik, poet, prozator, përkthyes, hartues tekstesh shkollore, kontribues në fushën e teatrit, etj., etj. ; duke mbetur një Martir i mendimit dhe i fjalës së lirë.

Për herë të parë me Profesor Qemal Draçinin jam “takuar” në faqet e revistës “Fryma”. Nga kjo “njohje” u befasova dhe më zgjoi interes kultura dhe dituria e tij që i ngjanin një drite të bukur shkodrane e magjepsëse plot ëndrra shpirti.

Fillimisht mendova për figurën e tij. Nëpër kohëra e vite e njohur dhe e panjohur, e harruar dhe e kujtuar shumë më vonë. Figura e tij duhet të ndriçohet më shumë përmes studimeve më të thelluara letrare.

Qemali lindi më, 06.03.1922 në lagjen “Rus i Vogël”. Shkëlqeu si gjimnazist në Gjimnazin e Shkodrës. Në moshën 16-vjeçare u dënua me 6 muaj burgim politik, 1938 – 1939. Dy vjet më vonë u burgos në Mbreshtan nga regjimi fashist.

Më 25.06.1940, shkruan në ditarin e tij: “At Gjergj Fishta më ka kërkue sekretar të tij privat… nuk kam kurrse-si me përfitue prej kësaj rase veç më duhet me renuncue; asgjamangut, ende s’e kam thanë fjalën e fundit.” E vijon në kryerradhë: “Fishta më ka falë një “Lahuta e Malcis” me kushtim e autograf.”

Ndoqi studimet në Firence për juridik, 1941 – 1943. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë, ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë, në Institutin “Donika Kastrioti” e më pas në Gjimnazin e Shkodrës. Më vonë punoi në Ministrinë e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Sterjo Spassen. U arrestua më 1946. Vdiq në burg nga torturat e tmerrshme, më 10.10.1947.

Nisi krijimtarinë letrare në poezi e prozë. Shquhet në fushën e mendimit letrar në fillim të viteve ’40. Së bashku me Muzafer Pipën themeloi në Tiranë të përmuajshmen kulturoro – letrare “Fryma”, më 1944, ku është redaktor. Studimet analitike e kritike mbi figurat të Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Migjenit, Gaspër Palit, Kolë Mirditës e S. Spasses, si dhe të disa autorëve të huaj, dallohen për origjinalitet, erudicion, mrehtësi të gjykimit dhe analizë, ku kultura dimensionale sfidon moshën reale. Një pjesë e veprës së tij u dogj e u asgjësua nga diktatura, ndërsa familja e tij mundi të shpëtonte fare pak pjesë të kësaj vepre. Studiuesi Nexhmi Bushati nënvizon faktin se krijimtaria e mbetur në dorëshkrim, së bashku me krejt arkivin e Qemal Draçinit u ruajt për 50 vite në fshehtësi të madhe në sajë të përkushtimit të të vëllait, Enver Draçinit. Pjesë e arkivit të ruajtur nga famijarët e Qemalit janë edhe “Ditarët”, shtatë fletore. Në këtë sagë shpalosen vlerat e Qemalit si intelektual e si shkrimtar. Libri “Era” i botuar me 1995 përmban një pjesë të krijimtarisë letrare të Qemal Draçinit. Kjo është njohja e parë me lexuesin.

Qemal Draçini, ende, edhe sot është pa varr. U shpall “Martir i Demokracisë” në vitin 1992. Ndërsa, më 2008, Këshilli Bashkiak i Shkodrës e vlerëson me titullin “Qytetar Nderi”.

Në rrugëtimin e problemeve të zhvillimit të letërsisë shqipe të para si në rrafshin teorik apo krahasues, analizat e mirëfilltë të veprave artistike, më tej, gjykimet mbi artin e vështirë të përkthimit apo në kolanat e recensioneve të librave, etj.,; emri i Profesor Draçinit është gdhendur në revistën “Fryma” e më gjerë. Atëhere Qemali ishte një djalosh që nuk ishte më shumë se 24 vjeç.

Në mes shumë shkrimeve (studimeve) të Profesor Draçinit shkëlqejnë edhe “Vepra poetike e Migjenit” (botuar në dy numrat 3, 4 të revistës “Fryma”, 1944), “Romani i një mësueseje” (botuar në numrin 6, të revistës “Fryma”). Teksa i lexon, nuk është e vështirë të kuptosh dimensionin e kulturës së autorit e kulturën e gjerë e të larmishme të të shkruarit, njohjen dhe vlerësimin estetik të problemit, forcën argumentuese, shpirtin e hollë e delikat prej artisti, etj.

Në studimin për Veprën e Migjenit, lë shenja e kode, që edhe sot duhen të merren si pika referimi. Më pas, kalojnë vitet, dhe shumë autorë bëjnë shkrime për Migjenin e Madh. Kam patur rastin disa syresh t’i lexoj. Nuk e di pse, përmes atyre rreshtave më shfaqej herë pas here figura e Draçinit që zbërthente aq lakmueshëm, për sa i përket thellësisë së problemit dhe nivelit artistik, veprën e bashkëqytetarit të tij.

Përkatësi të hijshme përmban dhe rrezaton kolana e paraqitjes së librave (recensionalë). Vetëm një njeri me një gamë të gjerë kulture si Profesor Draçini, ndriçonte prej së vërteti vlerat e këtyre librave, ndonëse disa prej tyre u përkisnin edhe fushave të tjera joletrare. Pra, paraqitjen e tij edhe si bibliograf, askush, edhe sot, nuk e zë me gojë.

Për të përcaktuar edhe një rrafsh tjetër të Profesor Draçinit, po përmend edhe shkrimet, si: “Për një sistem të përkthimeve” e “Pëlhurtarët” (G. Hauptman), -botuar respektivisht në numrat 2 dhe 5 të revistës “Fryma”, 1944-. Për shkrimin e parë shenjojmë disa karakteristika dalluese, si: – njohja e mirë e me kompetencë e problemit në fjalë, – argumenti shkencor, – detajimet në funksion të idesë që përçon udhësia e problemit, etj. Kurse në shkrimin e dytë, shënjojmë si karakteristikë: – zbërthimin e dramës (një njohje e thellë e zhvillimit të ngjarjeve që zhvillohen në atë vepër).

Kontributi i vyer tek revista “Fryma” e bëjnë profesor Draçinin të pranishëm (figurë e personalitet) që duhet të studiohet në disa plane. Është interesante sesi ai i konceptoi figurat e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Migjenit, Gaspër Palit, Kolë Mirditës dhe Sterjo Spasses, etj., në dritën e marrëdhënieve krijues dhe kohë që e jetuan. I pasqyroi përmes lëndës së tekstit filozofinë e tyre duke ruajtur individualitetin artistik të shkrimtarisë, etj.

Qemal Draçini ishte djaloshi flokëgështenjë në bjond, që në bisedë ishte i qeshur, që fliste ngadalë e me zë të ulët. Mbetet një figurë që koha e nderon!…

Shkodër, 10.09.2022