Nga Zef Çoba

27 Marsi i vitit 1931 është data kur Pjetër Gaci hyri në jetë dhe me talentin e përkushtimin e tij, i dha kulturës sonë muzikore njërin prej emrave më të dashur e më të nderuar të artit tonë muzikor. Nga fshati Shirq ku lindi, që në moshë të njomë kur ishte 3 vjeç, familja e tij u çvendos për të jetuar në Shirokë, në një vend piktoresk e pikë turistike shumë e frekuentuar, ku shkodranët kanë shkuar përherë për të pushuar, për tu zbavitur e argëtuar.

I jati, një rapsod i talentuar, qe i pari i cili herë me lahutë, herë me çifteli dhe me zërin e tij, ndikoj në ndjenjat e holla dhe në prirjet muzikore. Pjetri, fëmijë i vëmendshëm e me një talent të rrallë, do të shkruante në ndergjegje e në memorie të parat brëndi e përmbajtje të çmuara e të rëndësishme, nga kodi i eposit dhe folklorit tonë.

Në Shirokë, në kontakt me grupet shoqërore që shkonin për tu argëtuar, ka rast të njohë e të marrë në dorë veglat muzikore si mandolinën, fizarmoniken e violinen. Tingujt e mrekullonin. Duart e vogla filluan ti rrëshqisnin në tastjerë herë të njerit e herë të tjetrit instrument, duke rradhitur tinguj e bërë melodi. Kështu tërhoqi vëmendjen e artistëve dhe hyri në shkollë në Shkodër, e prirjet e forta muzikore i hapen rrugen për në Liceun Artistik të Tiranës, ku ndjek me sukses mësimet në klasen e violinës.

Me mbarimin e kësaj shkolle, në të cilën talenti i tij ka spikatur dukshem, në vitin 1952 dergohet në Konservatorin Çajkovski në Moskë, për të vazhduar studimet e larta në specialitetin e violinës. Këtu zgjeron në mënyrë të ndjeshme dijenitë e tija, duke u aftësuar në disiplina të ndryshme të këtij arti. Ambienti që e rrethonte dhe jeta artistike tepër e pasur në këtë qytet me tradita të mëdha në artet e kultivuara, si dhe njohja me shumë personalitete artistike të kalibrit botërorë, do të kenë një ndikim të fuqishem te djaloshit me trup të shkurtër por me botë të madhe Pjetër Gaci, tek i cili po kultivohej ndjenja e përgjegjësisë dhe e detyrimit artistik.

Ishte bashkuar në shoqëri me Çesk Zadejën, Rifat Teqen, Avni Mulen, Tish Dainë, Lukë Kaçen, Milto Vakon, Mentor Xhemalin e të tjerë muzikantë të talentuar për të vazhduar studimet, por nderkohë zhvillonin edhe aktivitete duke marrë pjesë me koncerte në jetën artistike. “Për herë të parë e pashë Pjetrin – shprehet bashkëshortja zonja Tamara Gaci në kujtimet e saja – në Sallen e Koncerteve të Konservatorit të Moskës.

Isha në sallë në mes të publikut. Pjetri luajti romancen e Rahmaninovit. Këtë pjesë e kisha dëgjuar në mjaft interpretime të ndryshme, por interpretimi i këtij djaloshi shqiptar ishte aq i ngrohtë, aq i ndjeshem, sa që me lojen e tij i transmetoi dëgjuesve atë muzikë si magji. Kur Pjetri uli violinen, shpërthyen duatrokitjet. Nuk i rrezistova dëshirës t’i shterngoja doren dhe ta përgëzoj, e ta falenderoj violinistin për kënaqësinë e çastit magjik që na krijoi me violinen e tij.”

Në vitin 1956 kthehet në atdhe, e me plot përkushtim dhe përgjegjësi obligohet për të përligjë dhuntitë e tija muzikore me shumë pasion e frymëzim. Nuk pati interpretim apo pentagram të mbushur me nota nga violinisti dhe kompozitori ynë i mirënjohur, që nuk është përjetuar thellë artistikisht. Ndjenja dhe emocioni përshkon dukshem vargun e tingujve të prodhuar nga shpirti dhe mendja e këtij artisti. Aq qartë është përligjur në muziken e tij ndjenja dhe emocioni, saqë asimilimi i situatës artistike nga dëgjuesit është plotësisht i mundshem nga të gjithë dhe pa koment.

Angazhohet mjaft gjërë në punë: në skena del e debuton si violinist, në klasë bën mësime të paharruara nga nxënësit e tij, e nderkohë mendimi krijues e fantazia i ndizet nga pasione të fuqishme. Në vitin 1959 i jep muzikës shqiptare të paren vepër koncertore instrumentale “Koncertin për violinë e orkestër”, vepër të cilen në debutimin e parë e luajti vetë po atë vit, me sukses e atmosferë të paharruar për pjesemarrësit.

Pjetër Gaci me punen e tij krijuese hyn në jetën artistike të vendit, duke debutuar me sukses të plotë në shumë gjini të artit muzikorë. Merr pjesë në Festivalet e Këngës në Radio Televizion, ku është nderuar me shumë çmime. Spikasin këngët “Të lumtur të dua” nderuar me çmim të tretë në vitin 1964, ”Kur bie fylli çiftelia” me çmim të tretë në vitin 1966, “Shqiponjë e lirë” me çmim të parë në vitin 1966, “Bie borë” në vitin 1968, “Vitet e zjarrta” me çmim të dytë në vitin 1969, “Kur vjen prandvera” me çmim të parë në vitin 1972, “Poeti partizan” me çmim të dytë në vitin 1973 etj.

Të paharruara do të mbeten këngët: “Jeho” nderuar me çmimin e tretë në Festivalet e Këngës Popullore, “Për ty atdhe” nderuar me çmimin e parë në konkursin e 20 vjetorit të çlirimit, “Lahutari” interpretuar nga Ansambli i Këngëve dhe valleve nderuar me çmimin e Dekadës së Majit në vitin 1973, “Lulëkuqja” interpretuar nga Teatri i Operas dhe Baletit edhe kjo nderuar me çmimin e Dekadës së Majit. Në vitin 1976 i kushtoi qytetit të tij të dashur Shkodrës këngën “Qytetit tim”, e cila u nderua me çmim në Festivalin e Këngës në Shkodër.

Këngët që kompozoi në stil të mirëfilltë popullor shquhen për vlera të theksuara origjinale. Mes të tjerave të tilla janë këngët shumë të njohura “Kënga e Kaçanikut” kompozuar në vitin 1980 dhe “Si lule zambak” apo siç njihet “Kënga e marakut” kompozuar në vitin 1986.
Në jehonat e kamufluara të botës së tij të pasur në punë krijuese, kultura muzikore shqiptare njohu përtëritje dhe rilindje, sepse produkti artistik i krijimtarisë së Pjetër Gacit është i frymëzuar nga ndjenjat e njeriut të lindur dhe të ushqyer në kuptimin më të plotë të fjalës, në pathosin legjendar dhe liriken fisnike të botës Shqiptare. Kompozoi në këtë frymë shumë miniatura për violinë e pianoforte, një lëndë me shumë vlera për mësimin e violinës, Romanca Vokale, Balladë për Violinë, Balladë për pianoforte, Perpeto mobile, Vallet simfonike 1, 2, 3. Kompozon muziken për operan “Përtej mjergullës” interpretuar në vitin 1971 nga trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit, Koncertino për violinë në vitin 1977 dhe në vitin 1981 Teatri i Operas dhe Baletit vuri në skenë operan “Toka e jonë”, të cilen Pjetër Gaci e kompozoi me libret të Ndrekë Lucës.

Artistë të gjinive të tjera të artit i kërkojnë bashkëpunim dhe me frymëzim kompozon muzikë për skenën koreografike “Kreshnikët e lirisë” realizuar nga Ansambli i këngëve dhe valleve, muzikën për dramen “Baca i Gjetajve” realizuar nga Trupa e Teatrit “Migjeni” Shkodër, muzikën e filmave “Prita dhe “Dasma e shtyrë” (në bashkëpunim me Zef Çoba) etj.
Bota e fëmijëve nuk është e pranishme vetem në repertorin e pasur instrumental, por edhe në këngët herë të menduara e me përmbajtje të thellë si “Na llogaritni edhe ne”, e herë gazmore si ”Tik tak ora”.

Gjatë viteve që punoi në kryeqytet, Pjetër Gaci kishte njohje me një rreth të gjërë artistësh që e admironin nga të gjitha gjinitë e artit, miq e bashkëpunëtorë me të cilët jetonte çdo ditë me preokupimet e punës së tij krijuese. Por në vitin 1975 goditet rëndë nga institucionet e diktaturës, sepse dëbohet nga kryeqyteti.

Transferohet fillimisht në Vlorë e më pas me kërkesë të tij në Shkodër, ku fillon punë mësues i violinës në Shkollen e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”. Në vitin 1976 del në profesion të lirë. Në Shkodër mirëpritet nga artistët muzikantë, poetë, regjisorë, piktorë, dhe ndjen ngrohtësinë dhe dashurinë e opinionit publik. Të gjithë e çmojnë për talentin dhe virtytet e tija të larta njerëzore si thjeshtësinë, zemër gjërësinë dhe perkushtimin profesional.

Në vitin 1986 bashkëpunon në Shkodër me Zef Çobën për “KONCERT ME KENGE TE REJA SHKODRANE”, për të përmbushur më mirë kërkesat e publikut.
Pjetër Gaci udhëhoqi me sukses shumë veprimtari të rëndësishme artistike e festivale, si dhe ansamble artistike në turne brenda dhe jashtë vendit. Për punen e palodhur ka marrë shumë vlerësime dhe është nderuar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, çmimin e Republikës të shkallës së parë me këngën “Për ty atdhe” në vitin 1970, është nderuar me titullin “Artist i merituar” në vitin 1979, dhe në vitin 1989 me titullin “Artist i popullit”.

Përmes kompozimeve të Pjeter Gacit, muzika e jonë pati arritje të rëndësishme drejt vlerave profesionale e qyteterimit muzikor. Në të dallohet identiteti dhe origjinaliteti i muzikës sonë kombëtare, frymëzimi dhe qartësia e mjeteve artistike të përdorura në funksion dhe unitet të plotë me përmbajtjen dhe brëndinë e secilës vepër. Pjeter Gaci në krijimtarinë e tij të pasur ka fiksuar momente të sinqerta artistike, rezultat i vlerave të jetuara thellësisht në procesin krijues. Muzika e tij të emocionon dhe të jep mesazhe të qarta, sepse është produkt i realizuar natyrshem i jetuar dhe jo i kërkuar.

Pjetër Gaci shkroi muzikë dhe vetëm muzikë. Ai është melodist i kalibrit të veçantë me origjinalitet të spikatur, melodi të cilen e zhvillon natyrshem pa asnjë nderlikim të tepërt.

Katalogu i pasur i veprave të tij ka një amplitudë të gjërë duke filluar nga krijimet në stil të mirëfilltë të këngëve popullore qytetare, provë kjo e kaluar me sukses absolut, duke vazhduar me këngët e muzikës së lehtë së cilës i fali shumë realizime brilante, megjithë kohen delikate që kalonte lëvrimi i kësaj gjinie në ato vite, për të vazhduar me repertorin violinistik me shumë vlerë, instrument të cilin e zotëronte dhe njihte mirë, e deri tek vallet simfonike, muzika vokale e operistike.

Pjetër Gaci depërtoi tek artëdashësit dhe adniruesit e artit muzikor sepse me gjenialitetin e tij krijues e intuitë, arriti të komunikojë me mjete të qarta e të thjeshta artistike, pa perdorur situata artificiale. Falë punës së tij, arriti të bëhet ndër emrat më të dashur e të njohur, e më me shumë popullaritet ndër artistët shqiptarë.

Padyshim ai ishte artisti që në jeten e tij ka përligj misionin e muzikantit pasionant, në fëmijëri si nxënës i magjepsur nga misteri i tingujve, më pas si violinist, pedagog edukator e kompozitor i shquar.
27 marsi është data që përcaktoi fillimin dhe përfundimin e një cikli prej 64 vitesh jetë. 27 marsi i vitit 1995 ishte dita e stuhisë që na rrëmbeu violinistin, pedagogun, kompoziotirin dhe mikun tonë të paharruar.

Pa e tepruar humbjen e ndjenë të gjithë, të gjitha moshat, e në mënyrë të veçantë artistët dhe muzikantët, miqt e tij të shumtë që u mblodhen për ti dhënë lamtumiren në pasdreken e 28 marsit, kur papritur natyra filloj të shpërndajë nga lart flokët e bardhë e të ftohtë të dëborës, për të na kujtuar çastin magjepsës e të frymëzuar me tingujt e bukur të këngës “Bjen borë, bjen borë pa pushim”. Por kësaj here kjo borë po binte për të mbuluar me bardhesi banesen e fundit të muzikantit tonë të paharruar Pjeter Gaci.

I dhembi shpirti atë ditë njerëzve të përgjegjëshem për artin dhe kulturen tonë, e cila kishte dhe ka tepër nevojë për njerëz si ai, në sherbim të identitetit tonë kulturor, shkollës sonë muzikore e dinjitetit tonë kombëtar. Në tingujt e muzikës së Pjetër Gacit ndihet vuajtja dhe qëndresa, lirika dhe epika, dhimbja dhe gëzimi, kaq të pranishem në jetën Shqiptare, kurdoherë të shprehura shqip, qartë, thjeshtë dhe me madhështi.