Ramazan Çeka në Facebook

Sonte në orën 21:00 në RTSH në spektaklin “Një natë sa një jetë”, drejtuar nga moderatorja e shquar plot ide dhe talent, Blerta Tafani, duke sjell adrenalinën e duhur që është pjesë e shijeve dhe emocioneve të publikut, transmetohet spektakli i mjeshtrit të magjisë skenike dhe televizive, kompozitorit Osman Mula.
“Mjeshtri i Madh” Osman Mula gjithnjë dialogon me kohën përmes vlerash konkuruese në mendim, muzikë, interpretim, regjisurë, kulturën kombëtare, traditën dhe në veçanti stilin shkodran.

Koloriti, vitaliteti dhe energjitë, kanë qenë përherë për të burime frymëzimi që e kanë ushqyer në të gjitha artet, duke i dhuruar atij talentin e pafund artistik, për ta bërë të njohur tashmë si një ndër regjisorët më të rëndësishëm të skenës shqiptare.

Temat e bisedave me Osmanin janë gjithmone interesante. Përveç të përditshmeve vendin kryesor e zënë kujtimet dhe planet që natyrisht sa më serioze bëhen, më me humor ngjyrosen, pasi ai është shumë i talentuar dhe pasionant edhe si piktor.

Edhe në kohët e mëparshme, edhe sot, ai si mjeshtër i magjisë skenike dhe televizionit respektohet nga Shkodra si i barabartë mes të barabartëve, me nderim dhe krenari përkrah titanëve të artit shqiptar që “brumosi” ky qytet.

Rrënjët e kujtimet më të thella i ka në Shkodër, ku i qeshnin sytë dhe shpirti për Shkodrën, duke e parë të mëshiruar shprehjen “Boll me ken Shkodran, se tana i ban”.

Për punën dhe kontributin e shquar, për arritjet e suksesshme dhe kontribues në aktivitetet e organizuara veçanërisht në qytetin e Shkodrës, Osman Mula u vlerësua me titullin e lartë “Mirënjohja e qytetit”, i akorduar nga Bashkia e Shkodrës.

Osman Mula përjetësoi edhe emra të mëdhenj të artit muzikor në Shkodër si: Vëllaun i tij Fatos Mula, i cili ka qenë baterist me estraden, Prek Jakova, Leonard Deda, mikun e tij Nazmi Lishi, Fuat Miloti, Xhemal Uruçi, Luan Barova etj.

Regjisori dhe kompozitori i njohur shqiptar Osman Mula është një nga regjisorët më të njohur në Radiotelevizionin Shqiptar, drejtues i dhjetë festivaleve, qindra emisioneve të muzikës, saksofonist i talentuar dhe kompozitor i vlerësuar me shumë çmime.
I lindur në Shkodër më 31 mars 1951. Ai ka një karrierë të pasur artistike, ku përveç angazhimit në RTSH, Mula u vlerësua edhe me shumë çmime si kompozitor.
Kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve dega e Artit Dramatik në vitin ’70-’74 dhe emërohet regjisor në Radio Televizionin Shqiptar në vitin ’73.

Ndërkohë mbrojti diplomën në Teatrin Popullor, realizoi koncertin e Vitit të Ri dhe pas një viti Festivalin e Këngës në RTSH, duke mos u shkëputur për vite me radhë nga institucioni, nga ku ka zbuluar talente në artet prezantuese dhe media, duke i formuar profesionalisht, si dhe duke i dhënë drejtim disa të rinjve si folës në ekran.

Vjen nga një familje e njohur, emrin e së cilës e kanë ngritur lart dhe e kanë nderuar, duke përcjellë dashurinë për profesionin dhe muzikën, figura të tilla si gjigandi Avni Mula, sopranoja me përmasa botërore Inva Mula e deri tek brezi më i ri siç janë fëmijët e Osmanit këngëtarja Evis Mula dhe aktori Enson Mula.

I tillë është i madhi Osman Mula, njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente dhe që e ka ngritur spektaklin në nivelet më të larta të kohës duke respektuar traditën dhe duke e harmonizuar me modernen.
Fillesat artistike nisin në vendlindjen e tij në moshën 17 vjeçare kur ka marrë çmimin e parë si kompozitor në anketën e Radio Shkodrës me këngën e kënduar nga Tonin Tërshana “Përsëri pranë jush do kthehem”.

Luajti me instrumentin e saksofonint në festivalin e njëmbëdhjetë. Ka përformuar në festivalet e studentit, kur vazhdonte studimet për artin dramatik. Ka kompozuar këngë në anketa muzikore dhe ka fituar çmim të parë me një këngë të kënduar nga Afërdita Zonja. Pastaj ka depërtuar në festivalet e këngës si kompozitor. Pas disa vitesh filloi regjinë e festivaleve kombëtare në RTSH, prej dhjetë vitesh radhazi, si dhe regjinë e koncerteve të vitit të ri.

Më pas këngët ia besoi këngëtarit Luan Zhegu, i cili ka marrë çmim të dytë në festivalin e Këngës në Radio. Ka shkruar në Koncertet e Pranverës me Luanin, duke bashkëpunuar afro tetë vjet. Është autor i videoklipit të parë të realizuar në Shqipëri me këngën “Bashkë me Fëmijët”.
Në vitin ’92 vlerësohet me çmim të parë në festivalin e RTSH-së me këngën “Pesha e fatit” të kënduar nga Aleksandër Gjoka, Manjola Nallbani dhe Viktor Tahiraj.
Në vitin ’96 ka shkruar një këngë për Luan Zhegun dhe Ledina Çelon, e cila mori çmimin e dytë.

Në vitin 2014 është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në vitin 2014 regjisori Osman Mula ka realizuar një dokumentar televiziv për shkrimtarin dhe dramaturgun e famshëm prof. Fadil Kraja, si dhe një dokumentar për lumin “Buna”, duke evidentuar historinë, bukurinë dhe vlerat e veçanta turistike që ka Buna. Osman Mula është dhe do jetë gjithmonë një “shkodran i thekur”.