Në kalendarin liturgjik katolik e Diela e Larit festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve. Me të nis Java e Madhe, por nuk mbyllen Kreshmët, që përfundojnë vetëm me kremtimin e orës së nëntë të së Enjtes së Madhe, ditë në të cilën, me uratët e mbrëmjes, nis Treditëshi i Shenjtë i Pashkëve.

Në katedralen “Shën Shtjefni” të Shkodrës u kremtua e diela e larit me besimtarët që morën pjesë në meshën e shenjtë liturgjike, drejtuar nga Arqipeshkvi Imzot Angelo Massafra. Ai u ndal në mesazhin e faljes dhe rëndësisë që ka ajo.

Zakonisht besimtarët i çojnë në shtëpi degët e palmave, të larit a të ullinjve për t’i ruajtur si simbole paqeje, duke e shkëmbyer një pjesë me të afërmit e miqtë. Në shumë zona, me gjethet e gërshetuara, realizohen vepra të vërteta arti, që shkëmbehen si dhuratë feste ndërmjet besimtarëve. Në prag të Pashkëve të reja, degët e vjetra digjen e hiri i tyre përdoret për përhimjen e besimtarëve të Mërkurën e Përhime.

E diela e larit simbolizon hyrjen e Jezu Krishtit në Jeruzalem rreth një javë para kryqëzimit të tij. Besimtarët katolikë në të gjithë botën përgatiten të festojnë Pashkët, të dielën e datës 31 mars, festën me simbolikën e Ringjalljes.