Shfaqja “Fëmijët e rrugës” e nxënësve të shkollës së mesme “Oso Kuka” me regji të aktores së teatrit “Migjeni”, Merita Smaja ishte e fundit në serinë e netëve të festivalit teatror për të rinj “Youth Theater”.
Në përfundim, juria profesioniste vlerësoi dy nga shkollat pjesëmarrëse si më të mirat e edicionit të pestë të festivalit. “Jordan Misja” dhe “Shejnaze Juka” u shpallën fituese me shfaqjet e tyre në festival.
Drejtori i teatrit “Migjeni”, Arian Çuliqi vlerëson me nota pozitive festivalin, i cili në këtë vit angazhoi 112 të rinj që prekën magjinë e skenës. Ky festival evidentoi disa talente që spikatën në fushën e aktrimit.
Edicioni i pestë i festivalit teatror për të rinj zgjati 8 netë dhe në të u përfshinë shkolla të mesme të Shkodrës dhe njësive administrative të saj. Spektatorët e pranishëm në teatrin “Migjeni” shijuan drama dhe komedi të realizuara nga të rinjtë nën kujdesin e trupës së aktorëve profesionistë të teatrit.
Juria ndau edhe çmime të tjera. Çertifikatë “Mirënjohje” për shkollën “Atë Pjetër Meshkalla”, “Aktorja më e mirë joprotagoniste” shkoi për Amelja Krosaj nga gjimnazi “28 Nëntori”, “Aktori më i mirë joprotagonist” u shpall Adrian Paloka nga shkolla “Atë Pjetër Meshkalla”. “Aktorja më e mirë në komedi” shkoi për Hulja Efovija e gjimnazit “28 Nëntori”, “Aktori më i mirë në komedi” u shpall Jozef Marashi i shkollës “Atë Pjetër Meshkalla”. “Aktorja më e mirë në dramë” u shpall Elisavet Alija i shkollës “Shejnaze Juka” ndërsa “Aktori më i mirë në dramë” fitoi Arenc Radaj i shkollës “Adem Haxhija”, Postribë.
