Për tre ditë me radhë një grup studentësh belgë do të vizitojnë disa nga pikat turistike të Shkodrës. Falë një marrëveshje mes universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe dy universiteteve të Belgjikës “Howest” dhe “Ho Gent” po zbatohet për të tretin vit, programi i shkëmbimit kulturor mes tyre. “Wow Albania” ka në thelb promovimin e Shqipërisë ndërsa risia e këtij viti është xhubleta pas përfshirjes së saj në UNESCO.
Studentët e Fakultetit Ekonomik të UNISHK do të asistojnë ata belgë në përgatitjen e guidave turistike. Koordinatorja belge, Eliza Bruneel thotë se Shqipëria është një vend i bukur por duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje paketave të detajuara turistike.
Në përfundim të programit, në dy universitetet belge do të organizohet një ditë e hapur ku studentët do të prezantojnë disa nga pikat tërheqëse të vendit tonë.
