Fotografi shkodran i botës së egër, Jetmir Troshani është vlerësuar me Çmimin e Parë dhe ka marrë Njohjen e Artë të Nderit në kategorinë Fotografia e Natyrës dhe Kafshëve të Egra nga Fondo Internazionale per la Fotografia (FIOF) Awards 2024.

Fotografia e tij që shfaq “Elegant Dance of Common Buzzards” është vlerësuar maksimalisht në eventin “Orvieto Fotografia 2024” mbajtur në Itali nga 15-17 mars 2024.

Jetmir Troshani prej vitesh po kontribuon në fotografimin e kafshëve e shpendëve kudo në botë, por veçanërisht të Liqenit të Shkodrës. Veprat e tij artistike jo vetëm dokumentojnë pasurinë e faunës sonë, por edhe po ndikojnë drejtpërdrejtë në promovimin e kësaj pasurie të jashtëzakonshme që ka Shkodra. Jehonë vlerësimit të tij i bëri edhe Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, përmes rrjeteve sociale duke përgëzuar fotografin shkodran.

Vetë fotografi Troshani ndihet mirënjohës për këtë çmim të merituar.

“Me emocion njoftoj se fotografia jeme, ku shfaqet kërcimi elegant i Hutave, asht vlerësu me Çmimin e Parë dhe ka marrë Njohjen e Artë të Nderit në kategorinë Fotografia e Natyrës dhe Jetes së Egër nga Fondi Internacional për Fotografinë (FIOF) për vitin 2024. Kjo arritje shënjon një moment historik të randësishëm në rrugëtimin tim me fotografinë e jetës së egër, duke e pasunu ma tej angazhimin tim për me fotografu dhe nda bukurinë e botës natyrore”, shkruan ai në Facebook.

“Duke kenë se jam rritë dhe frymëzu në qytetin e gjallë kulturor të Shkodrës, ku dhe fotografia asht shfaq për herë të parë në Shqipëri, dhe pasi kam kalu jetën time të rritun në metropolin dinamik të qytetit të Nju Jorkut që kur isha 20 vjeç, jam sinqerisht i gëzuem me festu kulmin e pasionit tim, duke fitu çmimin e parë nga një institucion shumë i vlerësuem si FIOF”, shkruan më tej fotografi Jetmir Troshani.