Orkestra Simfonike, e përbërë nga një formacion i gjerë instrumentistësh, nuk është vetëm një krenari e RTSH-së por ajo është po ashtu edhe një aset i vyer kombëtar. Pjesë e saj janë edhe disa shkodranë. Armando Volaj në korno është njëri prej tyre. Ai bën pjesë në Orkestrën Simfonike të RTSH-së prej 33 vitesh.

Edukimi i marrë në shkollën artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër ka shërbyer si një bazë e fortë për të qenë aty ku është sot.
Një tjetër shkodran është edhe dirigjenti i kësaj orkestre, Gridi Kraja. Nën drejtimin e tij, Orkestra Simfonike e RTSH-së po përgatitet për koncertin më të afërt të saj, atë të datës 22 mars.
Pas një pune gjigande të përbërë prej dhjetra personash, së fundmi Orkestra Simfonike e RTSH-së gëzon edhe një sallë të rikonstruktuar plotësisht, e përshtatshme edhe për regjistrime televizive.
