Shkodrës do t’i kthehet Sahati, një nga simbolikat e qytetit e vendosur në një pallat 6 katësh, në një kullë të vogël por që prej vitesh nuk është funksionale. Ka qënë një iniciativë e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili ka kërkuar që kjo vepër të rivihej në funksion ndërkohë që gjatë verifikimit është gjetur edhe mekanizmi i orës mbi 120-vjeçare. Ajo është gjetur në kullën e vogël, ngritur enkas mbi pallatin 6 katësh në qendër të qytetit, ku ndodhet dhe Sahati i Shkodrës.

Mekanizmi ishte ruajtur nga familja shkodrane Kurraj, për 33 vjet pas rrëzimit të komunizmit. Para ardhjes së demokracisë, Sahati i Shkodrës, i vendosur mbi pallatin 6 katësh, jo vetëm funksiononte por ishte kthyer dhe në pikë referimi për shkodranët. Por prej vitesh nuk ishte efiçent dhe qytetarët ndjenin keqardhje.

Restauratori, Petrit Bilali, thotë se ka qenë Kryetari i Bashkisë, Benet Beci, që ka kërkuar të rikthehej në gjendje pune mekanizmi i saj.

Përmes një postimi në Facebook, kryebashkiaku i Shkodrës shfaq habinë kur e mëson këtë fakt.

“Kurrë s’e mendova se do ta gjenim mekanizmin e vjetër të sahatit aty në kullën e vogël, ngritur enkas mbi pallat kur i kërkova një punonjësi të bashkisë, të shkonte ta verifikonte. Mekanizmi mbi 120-vjeçar i sahatit ishte akoma aty, falë familjes Kurraj dhe zonjës Suzana që e kishin ruajtur në vite. M’u duk se zbuluam një thesar të qytetit, ndaj dua të shpreh edhe publikisht mirënjohjen time dhe në emër të Bashkisë Shkodër për qytetarinë e treguar nga kjo familje gjatë gjithë këtyre viteve”, shkruan Beci në rrjetet sociale.

“Falë orëndreqësit Besnik Sahatçia, mirëmbajtësit Ermir Dibra dhe restauratorit Petrit Bilali, u mësua historiku i këtij sahati dhe vlerat që ai mbart, por edhe realizimi i proçesit të  pastrimit dhe mirëmbajtjes së mekanizmit të tij. Mekanizmi do të bëhet pjesë e fondit të Muzeut Historik të Shkodrës”, shkruan kryebashkiaku duke shtuar se po punohet për rindërtimin e plotë të Sahatit të Shkodrës për ta rikthyer atë sërish funksional në po të njëjtin vend.