Klara dhe Antigona janë dy nga maturantet ekselente të Shkodrës, gjithashtu fituese të vendit të parë të Olimpiadës në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Ata janë pjesë e shkollës së mesme publike “Jordan Misja”. Rezultatet e arritura janë “frut” i orëve të shumta studimore dhe përkushtimit të vazhdueshëm që ato kanë treguar ndaj mësimeve.
Klara u angazhua vitin e kaluar edhe me festivalin teatror për të rinj ku gjimnazi “Jordan Misja” rrëmbeu vendin e parë. Maturantja tjetër, Antigona, ishte pjesë e kampionatit të debatit në të cilin gjimnazi “Jordan Misja” u rendit i katërti në shkallë kombëtare.
Për drejtuesen Blediana Osja dhe mësuesen lëndëve Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Rudina Llazari, dy maturantet ekselente janë një krenari e shkollës.
Klara dhe Antigona kanë nisur të mendojnë për të ardhmen e tyre. E para ka dëshirë të studiojë për Drejtësi ndërsa e dyta për Psikologji. Të dyja dëshirojnë t’i ndjekin studimet në Shqipëri por sfida më e afërt mbetet përgatitja për Olimpiadën në nivel kombëtar ku synojnë të marrin rezultatet maksimale.
