Ahengu shkodran është një nga 7 kryeveprat e trashëgimisë kombëtare shpirtërore. Atë e kanë kënduar sa e sa artistë të qytetit. Agim Molla është ahengxhiu më i vjetër i qytetit aktualisht. RTSH Shkodra përgatiti një kronikë të veçantë për këtë artist. Për Agim Mollën, këngët e ahengut janë vetë jeta e tij.
Ai i këndon ashtu të pastra dhe di mbi 350 këngë të ahengut. Kohët kanë ndryshuar e bashkë me to edhe traditat. “Dasma shkodrane nuk është më ajo e dikurshmja”, thotë ai.
“Këngën shkodrane duhet ta duam e ta ruajmë”, shprehet Agim Molla.
Ai ka mbi 45 vite që është pjesë e ahengut shkodran e për rrjedhojë edhe e gëzimeve familjare të shumë shkodranëve duke kontribuar në ruajtjen e një traditë të vjetër të qytetit. BBC Music masterizoi rreth dy vite më parë në studiot e Radio Shkodrës këto këngë të trashigimisë kulturore shpirtërore.
