Karnavalet sjellin gjithnjë atmosferë festive me shumëllojshmërinë e maskave dhe gjallërinë që krijojnë. Të tilla ishin edhe tre ditët e kremtimeve të tyre në Shkodër. Ky qytet i feston karnavalet që prej vitit 1860. Ato janë më të vjetrat në vendin tonë. Bashkia e Shkodrës, si organizatore e eventit kishte programuar një kalendar artistik, të përshtatshëm për grupmosha të ndryshme, duke nisur nga fëmijët për të vazhduar me të rinjtë dhe për t’u mbylluar me pjesëmarrjen masive të qytetarëve në shesh. Festimet e karnavaleve u paraprinë nga dekori zbukurues i rrugëve dhe shesheve të qytetit. “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” ishte sllogani i këtij edicioni.

Kapriçot e motit ndryshuan disi kalendarin e aktiviteteve por shiu nuk e ndali dot festën. Karnavalet e këtij viti nisën me fëmijët e kopshteve dhe shkollave 9-vjeçare të Shkodrës dhe njësive administrative të saj. Performancat artistike të tyre u shijuan pamasë nga spektatorët që kishin tejmbushur sallën e teatrit “Migjeni”. Entuziasmi i tyre krijoi energjinë e duhur të një feste që veçse sa kishte nisur. Nga efektet e dritave të skenës tek ato të projektuara mbi fasadën e ndërtesës së Bashkisë, kjo festë e përfshiu publikun, si në ambjent të mbyllur ashtu edhe të hapur.

Sheshi para Bashkisë u kthye në “skenën” e hapur të festimeve. Maskat veneciane në rrugët e qytetit i dhanë hijeshinë dhe elegancën kësaj feste tradicionale. Ato punohen mjeshtërisht në Shkodër, në punishten që gjendet në këtë qytet e për të cilën kanë shkruar edhe mediat botërore. Ballot me maska në baret dhe restorantet e qytetit janë një tjetër detaj i Karnavaleve të Shkodrës që e bënë natën “ditë” deri në orët e vona të saj.

Të rinjtë e gjimnazeve të Shkodrës dhuruan një “show” magjik në ditën e dytë të festës me performancat e tyre në teatrin “Migjeni” duke sjellë mesazhe të rëndësishme për shoqërinë. Ata kanë muaj që përgatiten për këtë ngjarje.

Për të shijuar nga afër karnavalet dhe prekur magjinë e festimeve, në Shkodër ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama së bashku me familjen e tij. Një shëtitje në zonën muzeale përkrah kryetarit të Bashkisë Benet Beci dhe më pas përjetimi i spektaklit në shesh të hapur dhe efektit magjik të dritave mbi fasadë. Holli i brendshëm i bashkisë u kthye në “strehën” festive të veprimtarive të ndryshme në kuadër të festës që nga përgatitja e maskave dhe deri tek koncerti me artistë të ndryshëm.

Karnavalet e Shkodrës në tre ditët e organizimit patën ndikim edhe në rezervimet dhe akomodimet përgjatë fundjavës në qytet.

Karnavalet janë vazhdimësi e një tradite të vjetër ku fotografët e shquar të Shkodrës si: Marubi, Pici, Jakova etj. i kanë dokumentuar ato përmes fokusit të tyre duke na i sjellë të gjalla ato edhe në ditët tona. E bukur ishte iniciativa e Bibliotekës “Marin Barleti” për ta sjellë më afër qytetarëve këtë copëz historie.

Ajo çfarë i bën karakteristike karnavalet në Shkodër veç të tjerash janë bejtat plot humor ku nuk mungojnë thumbimet por edhe vlerësimet.

Karnavalet dhe festimet e tyre kulmuan në ditën e tretë ku i gjithë qyteti ishte gati për të përjetuar shfaqjen e dhuruar nga artistët shkodranë përmes karvanit tradicional dhe parakalimet me maska në rrugët e Shkodrës. G’juhadoli mbetet përherë “zemra” e Karnavaleve dhe shpirti i festës që qytetarët e shoqërojnë me përgatitjen e petullave, tjetër detaj karakteristik ky i Karnavaleve të Shkodrës.

Përmasat e kësaj feste e tejkaluan qytetin pasi në të nuk mungonin as Korça dhe Tuzi, qyteti shqiptar në Malin e Zi. Diegia e dordolecit simbolizon largimin e veseve dhe fenomeve negative të shoqërisë përgjatë një viti ndërsa ai shënoi fundin e një tjetër edicioni karnavalesh në Shkodër.