DRTK Shkodër i ka bërë jehonë në rrjetet e veta sociale një tjetër vendbanimi historik siç është ai i Grunasit në Theth. Vendbanimi tarracor prehistorik është një Monument Kulture i Kategorisë I, shpallur i tillë në vitin 2007.

Për herë të parë ky vendbanim u gjurmua nga ekspedita shqiptaro-amerikane drejtuar nga M.Galaty, Ols Lafe në vitin 2005. Ai shtrihet në një sip. prej 2 ha. ku ruhen porta hyrëse dhe një seri strukturash murale në formë tarracimi ndërtuar në të thatë në stilin primitiv.

Hyrja për në vendbanim ka një gjerësi 3.40 me ndërtuar me gurë ciklopik në të thatë. Gurët kanë gjerësi që variojnë nga 1 deri në 1.45 m. Ngjitur me hyrjen ruhen gjurmët e një banese deri në lartësinë 1.40 m.

Gjatë gërmimeve arkeologjike në këtë vendbanim u zbuluan kulturë materiale e mjaftueshme, kryesisht fragmente enësh balte duke ndihmuar në datimin e tij, shek VIII pr.erës sonë.

Këto ndërtime ngritur mbi platforma tarracore në një territor kaq të thellë të luginës së Shalës, janë tregues për një aktivitet të dendur bujqësor e blegtoral të njeriut dhe trashumances që në periudhat parahistorike.