Shkodra nisi edhe për këtë vit festimet tradicionale të Karnavaleve. Të parët që i çelën ato ishin fëmijët që mbanin veshur maskat shumëngjyrëshe dhe kostumet e larmishme.

“Rrugët e Shkodrës n’Karnaval” është sllogani i këtij viti por shiu pengoi zhvillimin e tyre në mjedis të hapur. Teatri “Migjeni” hapi dyert për të mirëpritur performancat artistike të përgatitura nga kopshtet dhe shkollat 9-vjeçare të qytetit. Salla ishte e mbushur përtej kapacitetit të saj të plotë.

Aktorja Drande Xhaj thotë se atmosfera në teatër ngjan po aq e bukur sa edhe në rrugët e qytetit po të zhvilloheshin në mjedis të hapur. Një nga organizatorët më të hershëm të karnavaleve, Gjon Stefa, shprehet se edhe në këtë vit nuk do të mungojnë thumbimet por njëkohësisht edhe vlerësimet.

Karnavalet në qytetin e Shkodrës i përkasin një tradite të hershme. Festimi i tyre mendohet të ketë nisur që në vitin 1860. Organizimi i Karnavaleve për këtë vit do të zgjasë tre ditë.