Në një ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar si ajo e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Galeria e Arteve në Shkodër çeli ekspozitën me piktura për publikun shkodran. “Code 3”, ekspozita personale e piktorit nga Gjakova Kamuran Goranci, erdhi si një analizë gramatikore dhe ngjyra ku shprehet një gjendje ekspresive.

Artisti thekson se titulli i ekspozitës është si një vazhdim i dy të parave, “Code 1” në Këln të Gjermanisë dhe “Code 2” në Tiranë. Pikturat duket sikur fshehin mister brenda që duhet zbuluar.

Artisti nga Gjakova e lidh mesazhin e ekspozitës me Iluzionet që mund të mos duken aq të pamundura për t’u realizuar. Kuratori shprehet se pikturat abstrakte të Gorancit krijojnë një realitet të ri.

Kamuran Goranci njihet për kontributin e tij akademik në universitete publike dhe jopublike si profesor i Artit Figurativ. Ai ka realizuar projekte të ndryshme artistike duke lënë gjurmën në ekspresionizmin abstrakt.